Zbardhet dëshmia e drejtorit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Shkodër, Ramir Haderi, i cili u dhunua një ditë më parë me sende të forta në qytetin verior.
Sipas burimeve, në deklarimin e dhënë përpara grupit hetimor, Haderi ka thënë se nuk ka mundur të identifikojë autorin e sulmit.
“Isha duke ecur dhe po flisja në telefon, kur një person doli nga një rrugicë dhe më goditi me një send të fortë. Nuk arrita ta shoh, pasi u largua me shpejtësi”, mësohet të ketë deklaruar ai.
Si pasojë e goditjes, kreu i AKU ka marrë dëmtime në pjesën e vetullës dhe ka marrë ndihmë mjekësore në spital, ndërsa më pas është larguar në gjendje jashtë rrezikut për jetën.
Haderi ka deklaruar gjithashtu se nuk ka konflikte personale me askënd dhe se nuk di arsyen e sulmit ndaj tij.
“Nuk e di përse më goditi. Nuk kam konflikte me njeri. Bëj punën normalisht”, ka thënë ai në dëshminë e tij.
Ndërkohë, Policia e Shkodrës vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit. Hetuesit kanë sekuestruar kamerat e sigurisë pranë vendit të ngjarjes, por deri tani nuk është bërë i mundur identifikimi i personit të dyshuar.
Sipas policisë, një nga pistat kryesore të hetimit mbetet ajo e sulmit për shkak të detyrës, ndërsa nuk përjashtohen edhe motive të tjera.
Në muajin mars, drejtori Haderi dhe 9 punonjës të AKU Shkodër u përfshinë në një hetim lidhur me zhdukjen e rreth 95 tonëve misër të kontaminuar me aflatoksinë, të bllokuar nga autoritetet. Po ashtu, gjatë javëve të fundit, AKU Shkodër ka ushtruar kontrolle dhe ka vendosur masa ndëshkuese ndaj disa subjekteve ushqimore në qytet.







