Nga Rigels Seliman
Shqipëria e viteve të fundit është shndërruar në një paradoks të madh ekonomik dhe shoqëror. Në njërën anë, shifrat zyrtare flasin për rritje ekonomike dhe “boom” turistik; në anën tjetër, qytetari i thjeshtë përballet me një realitet ku mbijetesa bëhet çdo ditë e më e vështirë. Në këtë Shqipëri të zhvatur, të vjedhur dhe të grabitur, ku korrupsioni ka lulëzuar në çdo qelizë të sistemit, operacionet e fundit i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ndaj disa prej biznesmenëve dhe ndërtuesve më të fuqishëm në vend – të dyshuar për pastrimin e parave të drogës – përbën një kthesë historike që duhet përshëndetur fuqishëm nga mbarë opinioni publik.
Këto aksione nuk janë thjesht një proces rutinë gjyqësor; ato perfaqesojne hapjen e shumëpritur të “Kutisë së Pandorës” për atë që quhet ndryshe oligarkia financiare e lidhur me krimin. Për më shumë se një dekadë, në Shqipëri ka funksionuar një trinom i rrezikshëm dhe pothuajse i pathyeshëm: krimi i organizuar, biznesi i ndërtimit dhe politikanët e korruptuar. Ky trinom është bërë një trup i vetëm. Paratë e gjeneruara nga trafiku ndërkombëtar i drogës dyshohet se gjenin strehën e tyre të sigurt në kullat dhe komplekset rezidenciale që mbinë mbi qytetet tona, kryesisht në Tiranë dhe në bregdet. Politika, nga ana tjetër, siguronte lejet e ndërtimit, ndryshimet ligjore dhe mbrojtjen imunitare, duke përfituar në këmbim financime të fushatave elektorale dhe pushtet të garantuar.
Me këtë goditje, mori fund njëherë e mirë miti i paprekshmërisë në Shqipëri. Për vite me radhë, oligarkët dhe bosët e ndërtimit jetonin në një realitet paralel, ku ligji nuk ekzistonte për ta. Askush nuk guxonte t’u afrohej, as t’i hetonte e as t’i përmendte emrat e tyre, pasi fuqia e tyre ekonomike dhe lidhjet e ngushta me kupolën politike i bënin ata të dukeshin të plotfuqishëm. Ishte vetëm SPAK-u ai që guxoi të thyente këtë tabu të rrezikshme. Vetëm ky institucion arriti t’u afrohej këtyre strukturave të paprekshme, duke tronditur deri në themele oligarkët që mendonin se kishin blerë përjetësisht qetësinë e tyre. Kjo lëkundje e statuskuosë është dëshmia më e qartë se perandoritë e ngritura mbi paligjshmërinë nuk janë më të imunizuara.
Pasojat e kësaj simbioze kriminale ranë drejtpërdrejt mbi kurrizin e shqiptarëve të thjeshtë. Efekti më i dukshëm dhe më shkatërrues u ndje në tregun e pasurive të paluajtshme. Çmimet e apartamenteve dhe të qirave në Shqipëri fluturuan në stratosferë, duke kapur nivele të krahasueshme me metropolet më të shtrenjta evropiane, ndërkohë që pagat e qytetarëve mbetën ndër më të ulëtat në rajon. Ky shtrenjtim artificial nuk erdhi nga kërkesa reale e tregut apo nga rritja e mirëqenies, por nga nevoja urgjente e grupeve kriminale për të “larë” thasët me para të pista. Si rezultat, blerja e një shtëpie u kthye në një ëndërr të pamundur për familjet e reja dhe profesionistët e rinj, duke ushqyer akoma më tej eksodin masiv të rinisë.
Por goditja e SPAK-ut godet pikërisht në zemër të këtij mekanizmi. Duke vënë nën sekuestro pasuri dhe duke vendosur para përgjegjësisë ligjore (penale) ndërtues e biznesmnë që deri dje askush nuk guxonte t’i prekte, drejtësia po dëshmon se askush nuk mund të jetë mbi ligjin. Këto operacione kanë çmontuar iluzionin se paraja e pistë mund të blejë pafundësisht qetësinë dhe legjitimitetin.
Megjithatë, ky duhet të jetë vetëm fillimi. Që kjo goditje të ketë efekt afatgjatë dhe të shërojë ekonominë e deformuar të vendit, Prokuroria e Posaçme (SPAK) duhet të ndjekë fillin e parave deri te zyrtarët dhe politikanët që firmosën e lejuan këtë masakër socio-ekonomike në Shqipëri. Përshëndetja e këtij operacioni nuk duhet të jetë thjesht një duartrokitje pasive nga larg, por një mbështetje e fortë qytetare për të inkurajuar prokurorët që të mos ndalen përpara asnjë emri apo poste. Vetëm duke pastruar ndërtimin nga paratë e drogës, duke tronditur oligarkinë dhe duke shkatërruar imunitetin e tyre, Shqipëria mund të shpresojë në kthimin e një tregu normal, çmimesh të përballueshme dhe mbi të gjitha, në rikthimin e dinjitetit të nëpërkëmbur të qytetarëve të saj.







