Nga Frank Jacobs
Pse i vendosim politikanët në një spektër nga e majta në të djathtën? Fajin e kanë francezët. Me 11 shtator 1789, Asambleja Kombëtare e sapokrijuar e Francës votoi nëse mbretit duhej t’i jepej e drejta e vetos mbi ligjet. Nuk ishte një çështje e parëndësishme procedurale. Si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj pushtetit absolut të Luigjit XVI, ai ishte një moment vendimtar i Revolucionit Francez.
Mbrojtësit e monarkisë, që ishin pro vetos, u mblodhën në të djathtë të kryetarit të seancës. Radikalët, të cilët donin t’i kufizonin pushtetin mbretit, u vendosën në të majtë të tij. Pikërisht nga ai renditje historike e ulëseve, në një mbledhje të zhvilluar më shumë se dy shekuj më parë, lindi ndarja më e njohur në politikën demokratike: e majta kundër së djathtës.
La gauche, e majta, u bë sinonim i forcave revolucionare që kërkonin të shfuqizonin privilegjet dhe t’u jepnin më shumë pushtet qytetarëve të zakonshëm. La droite, e djathta, përfaqësonte kundërrevolucionarët, konservatorët që përpiqeshin të mbanin në këmbë rendin e vjetër, i cili po shembej.
Brenda një viti, termat ishin bërë pjesë e zakonshme e fjalorit politik në Francë. Gjatë shekullit pasues, “e majta” dhe “e djathta” u përhapën në diskutimet politike në mbarë botën. Kjo mënyrë e thjeshtë për të përshkruar bindjet politike përdoret ende sot. Megjithatë, me kalimin e kohës, ky model ka filluar të tregojë kufizimet e tij. Madje, ai kishte mangësi që në momentin e krijimit.
Një dhuratë propagandistike që vazhdon edhe sot
Një nga problemet qëndronte te vetë gjuha. Në frëngjisht, fjala gauche do të thotë edhe i ngathët ose i pakëndshëm. Ndërsa droit, ashtu si fjala angleze right, nuk do të thotë vetëm “djathtas”, por edhe “i drejtë”.
Ky paragjykim gjuhësor është shumë më i vjetër se Revolucioni Francez, madje edhe se vetë gjuha frënge. Në latinisht, fjala për “të majtën” është sinister, prej nga rrjedh kuptimi i diçkaje ogurzezë ose keqdashëse. Ndërsa “e djathta” është dexter, prej së cilës vjen fjala “shkathtësi”, që ka kuptim pozitiv. Edhe në Bibël, Jezusi qëndron në të djathtën e Zotit, jo në të majtën e Tij.

Nuk duhet shumë imagjinatë për ta lidhur këtë paragjykim, i pranishëm në dhjetëra gjuhë dhe kultura, me faktin që shumica e njerëzve janë djathtakë. Vetëm rreth 10% e popullsisë përdor dorën e majtë si dorë kryesore.
Për pasardhësit politikë të mbështetësve të monarkisë, të qenit “në të djathtë” ka qenë një avantazh propagandistik që vazhdon edhe sot. Ndërsa ata që identifikohen me të majtën duhet të përballen vazhdimisht me lidhjet negative që fjala “e majtë” ka pasur historikisht.
Komunistët, nazistët dhe teoria e patkoit
Por problemi nuk qëndron vetëm te terminologjia. Në vitin 1972, politologu francez Jean-Pierre Faye krijoi termin “patkoi politik”, pasi kishte studiuar Gjermaninë e Republikës së Vajmarit.
Duke vënë re se komunistët dhe nazistët bashkëpunuan shpesh në fillim të viteve 1930 për të dobësuar qendrën liberale gjermane, Faye propozoi se sa më larg të lëvizësh nga qendra politike, aq më shumë skajet e spektrit afrohen me njëri-tjetrin. Pra, spektri politik nuk është një vijë e drejtë, por përkulet si një patkua.
Qoftë në formë vije apo patkoi, ndarja majtas-djathtas dominoi pjesën më të madhe të shekullit XX, i cili mund të përmblidhet, në mënyrë të thjeshtuar, kështu: kapitalizmi i kombinuar me demokracinë mundi fillimisht fashizmin në të djathtë dhe më pas komunizmin në të majtë.
Por këto ndarje nuk përshkruajnë më me saktësi politikën e shekullit XXI. Dikush mund të ketë bindje fort të majta për disa çështje dhe fort të djathta për të tjera. Kjo krijon aleanca të pazakonta politike dhe ndryshime të papritura në mënyrën e votimit.
Modeli tradicional nuk arrin të shpjegojë pse shumë mbështetës të Bernie Sanders në vitin 2016 votuan më pas për Donald Trump. Por këta votues nuk ishin të hutuar apo irracionalë. Ata po reagonin ndaj diçkaje që modeli klasik nuk e kap dot: një mosbesim të thellë ndaj establishmentit, qoftë të majtë apo të djathtë, dhe një dëshirë po aq të fortë për ta përmbysur të gjithë sistemin.
Liria ekonomike dhe liria personale
Për t’i kuptuar më mirë këto zhvillime, politika duhet parë jo si një vijë me një dimension, por si një fushë me dy dimensione, pra, si një hartë.
Një nga modelet më me ndikim është Grafiku Nolan, i publikuar në vitin 1971 nga David Nolan, themeluesi i Partisë Libertare të Shteteve të Bashkuara.
Nolan argumentonte se çdo ideologji duhet të vlerësohet sipas dy dimensioneve të veçanta: sa kontroll i jep shtetit mbi vendimet ekonomike të qytetarëve dhe sa kontroll i jep mbi jetën e tyre personale. Sipas tij, spektri tradicional majtas-djathtas i bashkon gabimisht këto dy çështje të ndryshme në një të vetme.
Duke vendosur lirinë ekonomike dhe lirinë personale në dy boshte të ndara, Grafiku Nolan krijon katër kuadrante, ku, jo rastësisht, libertarizmi ndodhet në pjesën e sipërme. Edhe pse kjo mund të shihet si një zgjedhje në favor të ideologjisë së autorit, ideja themelore mbetet e vlefshme.
Shoqëritë mund të jenë socialiste dhe të lira (si demokracitë sociale nordike), socialiste dhe jo të lira (si Bashkimi Sovjetik), kapitaliste dhe të lira (si Singapori ose Zvicra), apo kapitaliste dhe jo të lira (si Kili nën Augusto Pinoçet). Këto katër kombinime janë pothuajse të pamundura të dallohen në një vijë të thjeshtë majtas-djathtas.
Grafiku ofron gjithashtu një vend të qartë për libertarizmin, një traditë politike tipike e botës anglishtfolëse, e cila nuk klasifikohet lehtësisht as si e majtë dhe as si e djathtë, duke mbetur praktikisht “pa shtëpi” në spektrin tradicional francez.
Ai ndihmon gjithashtu të kuptohet më mirë se ku pozicionohen lëvizjet moderne autoritare: në pjesën e poshtme të grafikut, në të dyja anët e boshtit vertikal. Kjo shpjegon deri diku pse etiketat tradicionale “e majtë” dhe “e djathtë” duken gjithnjë e më të pamjaftueshme për të përshkruar politikën e ditëve tona.
George Orwell do të ishte dakord
Diagrami politik në formë diamanti i paraqitur më poshtë, i frymëzuar qartësisht nga Grafiku Nolan dhe që qarkullon në internet që rreth vitit 2000, e përditëson modelin e tij me një orientim tjetër dhe një gamë më të pasur të ideologjive politike.
Boshtet vazhdojnë të përfaqësojnë të njëjtat shkallë matëse, por tani skajet janë emërtuar marksizëm dhe liberalizëm (në boshtin horizontal ekonomik), si dhe anarkizëm dhe fashizëm (në boshtin vertikal të autoritetit shtetëror). Secila nga katër anët e diamantit mban emrin e tiparit që bashkon dy skajet përkatëse: Marksizmi dhe anarkizmi mund të quhen të dy “socialistë”, disa forma të marksizmit dhe fashizmit mund të konsiderohen “etatistë”, e kështu me radhë.

Në disa raste, ky diagram është vërtet ndriçues. Ai pasqyron idenë se anarko-komunizmi dhe stalinizmi ndodhen të dy në anën socialiste të diamantit, por në skaje krejt të kundërta sa i përket rolit të shtetit, një dallim që modeli klasik majtas-djathtas nuk mund ta bëjë.
George Orwell do të ishte dakord me këtë. Gjatë Luftës Civile Spanjolle, ai luftoi në radhët e një milicie me prirje anarkiste kundër komunistëve besnikë ndaj Moskës.
Diagrami gjithashtu e dallon në mënyrë të dobishme libertarizmin nga konservatorizmi, duke ndarë dy rryma të së djathtës amerikane që shpesh ngatërrohen me njëra-tjetrën, por që në thelb janë shumë të ndryshme.
Megjithatë, edhe ky model mbështetet mbi disa thjeshtësime të pasakta. Ai vendos anarko-kolektivizmin dhe anarko-individualizmin pranë të njëjtit kulm të diamantit, duke lënë të kuptohet se ato janë të ngjashme. Në të vërtetë, liritë që ato mbrojnë janë thellësisht të papajtueshme: njëra synon lirinë kolektive nga prona private dhe hierarkia, ndërsa tjetra lirinë individuale nga detyrimet ndaj kolektivit.
Ekziston gjithashtu një ndjesi e rreme saktësie nga fakti që çdo ideologjie i jepet një hapësirë me të njëjtën madhësi. Në realitet, traditat ideologjike janë të paqarta, të debatueshme dhe ndryshojnë vazhdimisht me kalimin e kohës.

Populizmi, për shembull, nga shumica e studiuesve nuk konsiderohet një ideologji më vete, por një stil politik që mund të shfaqet pothuajse në çdo pikë të hartës politike.
Po ashtu, vendosja e fashizmit në skajin ekstrem të etatizmit e zhvesh atë nga tiparet që e përcaktojnë: ultranacionalizmi, hierarkia racore dhe kulti i dhunës. Kështu, një ideologji monstruoze reduktohet thjesht në një formë autoritarizmi shtetëror.
Qëndrimet ndaj emigracionit, identitetit dhe vlerave shoqërore
Atëherë, pse të mos shtohet edhe një dimension i tretë?
Pas dekadash sondazhesh ndërkombëtare, Ronald Inglehart identifikoi një bosht tjetër përgjatë të cilit ndryshojnë vlerat: nga vlerat materialiste (siguria, rendi dhe forca) drejt vlerave post-materialiste (vetëshprehja, mbrojtja e mjedisit dhe cilësia e jetës). Ky ndryshim, dhe reagimi i fortë kulturor kundër tij, ka formësuar politikën e viteve të fundit ndoshta më shumë se çdo lëvizje tradicionale mes së majtës dhe së djathtës.
Një dimension i ngjashëm është boshti GAL-TAN, i cili shkon nga Green (i Gjelbër), Alternative (Alternativ) dhe Libertarian drejt Traditional (Tradicional), Authoritarian (Autoritar) dhe Nationalist (Nacionalist).
I zhvilluar për studimin e sistemeve partiake evropiane, ky model përfshin qëndrimet ndaj emigracionit, identitetit dhe vlerave shoqërore, çështje që modelet e mëparshme nuk arrijnë t’i pasqyrojnë plotësisht.
Por këtu lind dilema e hartografit: çdo hartë është e kufizuar nga synimet e atij që e krijon.
Çdo diagram politik i përmendur këtu tregon po aq për autorin e tij, sa edhe për realitetin politik që përpiqet të përshkruajë. Modeli i patkoit i jep rëndësi të veçantë qendrës. Nolan vendosi ideologjinë e tij të preferuar në kulmin e grafikut. Diagrami në formë diamanti tregon simpati për anarkizmin. Dhe të gjitha këto modele janë ndërtuar mbi kategori politike perëndimore.
Në asnjërin prej tyre nuk ka një vend të qartë për mendimin politik konfucian, teorinë islame të qeverisjes apo konceptin afrikan të Ubuntu.
Siç thotë edhe shprehja e vjetër e hartografëve: “Harta nuk është territori.”
Sa më të ndërlikuara bëhen hartat politike në përpjekje për të qenë sa më gjithëpërfshirëse, aq më shumë humbasin cilësinë që e bëri modelin fillestar kaq jetëgjatë: thjeshtësinë.
Pavarësisht kufizimeve të shumta, paradigma e ndarjes mes së majtës dhe së djathtës do të vazhdojë të përdoret edhe për shumë kohë.
Ndoshta nuk është plotësisht e saktë, por është mjaftueshëm e thjeshtë për t’u kuptuar, ashtu si një pjesë e madhe e debatit politik të ditëve tona.
Votimi që nisi gjithçka
Po si përfundoi ai votim historik që krijoi ndarjen mes të majtës dhe të djathtës?
Asambleja Kombëtare votoi me 673 vota pro dhe 325 kundër për t’i dhënë mbretit një veto pezulluese, e cila i lejonte të shtynte hyrjen në fuqi të ligjeve, por jo t’i bllokonte ato përgjithmonë.
Ishte një kompromis që nuk kënaqi askënd. Monarkistët kërkonin një mbret më të fuqishëm, ndërsa rreth 150 deputetë radikalë nuk pranonin asnjë lloj vetoje mbretërore.
Gjithsesi, ky votim nuk bëri asgjë për ta afruar kurorën me popullin e uritur.
Pak javë më vonë, turmat marshuan drejt Versajës, pushtuan pallatin mbretëror dhe e dërguan mbretin dhe mbretëreshën në Paris si të burgosur, e më pas, përfundimisht, drejt gijotinës.Për atë moment, e majta kishte fituar.







