Ballina Europë ‘Grenlanda nuk është në shitje’ kryeministrja daneze ia rikujton Trumpit

‘Grenlanda nuk është në shitje’ kryeministrja daneze ia rikujton Trumpit

56
0

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen tha se Grenlanda “nuk është në shitje” pas komenteve të përsëritura nga Donald Trump që sugjeronin se territori i Arktikut duhet të kontrollohet nga Uashingtoni dhe jo nga Kopenhaga.

Duke folur me gazetarët përpara samitit të NATO-s në Turqi, Frederiksen tha se besonte që qëndrimi i SHBA-së ishte bërë gjithnjë e më i qartë.

“E dëgjova presidentin e SHBA-së dje dhe mendoj se qëndrimi i SHBA-së është për fat të keq shumë i qartë për këtë temë. Pozicioni ynë është po aq i qartë sa ka qenë gjatë gjithë kohës: Grenlanda, sigurisht, nuk është në shitje”, tha ajo.

Vërejtjet nënvizojnë mosmarrëveshjen e vazhdueshme midis Danimarkës dhe Shteteve të Bashkuara mbi të ardhmen e Grenlandës.

Frederiksen tha se Danimarka dhe Grenlanda presin që aleatët e tyre të respektojnë të ardhmen e ishullit, duke shtuar: “Shpresojmë që të gjithë, përfshirë të gjithë aleatët, do të respektojnë të drejtën e popullit të Grenlandës për vetëvendosje”.

Ajo gjithashtu theksoi sovranitetin e Danimarkës, duke thënë: “Ne jemi shtete sovrane dhe kemi nevojë që të gjithë të respektojnë integritetin tonë territorial dhe sovranitetin tonë”.

Frederiksen shtoi se Danimarka ishte “e gatshme të mbronte çdo centimetër të NATO-s, përfshirë territorin tonë” dhe priste që anëtarët e tjerë të aleancës të respektonin angazhimet e tyre të mbrojtjes kolektive.

Mosmarrëveshja u intensifikua në mars kur JD Vance vizitoi bazën hapësinore Pituffik të ushtrisë amerikane në Grenlandë, pasi planet për një udhëtim më të gjerë u zvogëluan pas kritikave nga udhëheqësit e Grenlandës.

Gjatë vizitës, Vance akuzoi Danimarkën për investime të pamjaftueshme në sigurinë e Grenlandës, ndërsa argumentoi se territori i Arktikut ishte strategjikisht i rëndësishëm për shkak të aktivitetit në rritje rus dhe kinez në rajon.

Trump ka thënë vazhdimisht se SHBA-të duhet të kontrollojnë Groenlandën, duke përmendur shqetësime kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë, por si Danimarka ashtu edhe Grenlanda kanë hedhur poshtë vazhdimisht çdo sugjerim se ishulli mund t’i transferohet Uashingtonit.