Ballina Aktualitet QSUT kërkon lëmoshë për respiratorë, qeveria shpenzon miliona për spektakle

QSUT kërkon lëmoshë për respiratorë, qeveria shpenzon miliona për spektakle

89
0

Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka vendosur t’u drejtohet qytetarëve me një listë të gjatë nevojash, duke kërkuar donacione për pajisje që në një vend normal do duhej të ishin standardi minimal i një spitali. Sipas kërkesës zyrtare, spitalit më të madh në vend i mungojnë plot 15 respiratorë, 6 laringoskopë, 6 defibrilatorë, 1 brakiterapi, 5 monitorë pacienti me matje invazive, 5 elektrobisturi, 2 kulla endoskopie+kolonoskopi, 50 shiringa elektrike, 1 video laringoskop, 5 EKG 12 kanale, 2 EEG, 2 mikroskopë kirurgjikalë, 3 prova ushtrimore, 2 holterë ritmi dhe 2 holterë presioni.

Sikur të mos mjaftonte teknologjia mjekësore që shpëton jetë, lista shtrihet edhe në zyra, QSUT ka nevojë edhe për 281 kompjutera, 210 printera dhe 3 fotokopje multifunksionale. Kjo listë nevojash ka nxjerrë zbuluar dështimin e Ministrisë së Shëndetësisë për të garantuar funksionimin normal të institucionit ku trokasin me mijëra shqiptarë çdo ditë.

Në vend që ky zbulim të shoqërohej me uljen e kokës dhe llogaridhënie, makineria e propagandës u vu menjëherë në lëvizje për të zbukuruar realitetin. Përmes një videoje të montuar sipas stilit të zakonshëm qeveritar, ku në njërin krah vihet denoncimi dhe në tjetrin “e vërteta” e tyre, QSUT tentoi të bënte një përgënjeshtrim, institucioni zgjodhi t’u mbante qytetarëve një leksion juridik. Në reagimin e shpërndarë nga Ministria e Shëndetësisë, spitali sqaron me gjuhë të drunjtë se publikimi i listës është thjesht një “detyrim ligjor për transparencën” dhe se kjo harton nevojat e brendshme sipas ligjit për të drejtën e informimit.

“Publikimi i donacioneve nuk është çështje zgjedhjeje, por një detyrim ligjor që buron nga kuadri në fuqi për transparencën, të drejtën e informimit dhe administrimin e pasurisë publike. Në zbatim të Ligjit nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”, të Programit të Transparencës, si dhe të legjislacionit që rregullon administrimin e fondeve dhe pasurive publike, QSUT, si institucion publik, ka detyrimin të bëjë publik informacionin mbi veprimtarinë e saj, përfshirë donacionet e përfituara. Ky është një standard i detyrueshëm i transparencës dhe llogaridhënies për të gjitha institucionet publike. Lista e donacioneve e publikuar është hartuar në kuadër të korrespondencës institucionale me shërbimet e QSUT-së, bazuar në nevojat që ato paraqesin pranë Drejtorisë së Përgjithshme përmes Drejtorisë së Inxhinierisë Klinike. Publikimi i kësaj liste synon të sigurojë evidentimin, koordinimin dhe administrimin transparent të kërkesave të shërbimeve, në përputhje me procedurat institucionale dhe legjislacionin në fuqi. Ky publikim nuk krijon të drejta apo përparësi për përfitimin e donacioneve, por garanton transparencë mbi nevojat e identifikuara nga shërbimet dhe mbi procesin institucional të administrimit të tyre”, thuhet në reagimin e QSUT të shpërndarë nga ministris e Shëndetësisë.

Në fakt, askush nuk dyshoi se kërkesa për donacione ishte e paligjshme. Ironia qëndron diku tjetër, pasi reagimi i sforcuar nuk përgënjeshtron dot faktin e thjeshtë se spitalit i mungojnë mjetet bazike të punës. Ky realitet i zhveshur rrëzon përtokë të gjithë fasadën e suksesit imagjinar që propagandohet nga ministrja Evis Sala. Vetëm një javë më parë, ministrja mburrej me krenari se buxhetit të shëndetësisë për vitin 2026 i janë shtuar plot 8.9 miliardë lekë më shumë nga parashikimi fillestar.

Pyetja që lind natyrshëm është: si ka mundësi që me gjithë këto miliarda të shtuara, mjekëve u duhet ende të presin lëmosha apo mëshirën e donatorëve për të pasur një respirator apo një shiringë elektrike?

Paradoksi bëhet akoma më therës kur sheh se si menaxhohen paratë e taksapaguesve shqiptarë nga e njëjta qeveri. Ndërsa për pajisjet jetike të QSUT-së pritet që dikush të bëhet bamirës, vetëm pak ditë më parë, përmes një akti normativ të emergjencës, u firmosën me lehtësi të plotë 4 milionë euro për organizimin e një koncerti privat të një reperi të huaj. Ndarja e prioriteteve është tashmë e qartë, luksi dhe zhurma e skenës financohen me urgjencë shtetërore, ndërsa shëndeti i qytetarëve dhe mjetet e punës së mjekëve lihen në dorë të fatit dhe zemërgjerësisë së qytetarëve.

Ky rast dëshmon se kriza e sistemit tonë shëndetësor nuk buron nga mungesa e parave, por nga mungesa e thellë e ndjeshmërisë dhe përgjegjshmërisë njerëzore në menaxhim. Kur jeta e pacientëve vlen më pak se një natë spektakli dhe kur mungesat e pajisjeve bazike janë të shumta, sistemi ka dështuar në misionin e tij parësor./vna