Gazetari Lorenc Vangjeli i ftuar në në SYRI TV, ka komentuar zhvillimet politike pas nisjes së protestave dhe debatin për koncertin e Kanye West në Tiranë. Vangjeli u shpreh se për herë të parë pas shumë vitesh, kryeministri Edi Rama është vendosur në një pozicion mbrojtës dhe jo sulmues në debatin publik.
Sipas tij, pavarësisht nëse protesta do të konsiderohet një fitore apo jo, ajo ka arritur një objektiv të rëndësishëm: ka ndryshuar axhendën politike. Vangjeli deklaroi se përtej çdo zhvillimi tjetër, protesta ka një kërkesë politike që lidhet me funksionimin e demokracisë në vend.
Duke folur për koncertin e Kanye West në Tiranë, Vangjeli tha se debati duhet të analizohet në tre drejtime: ligjor, ekonomik dhe moral. Sipas tij, aspekti ligjor mbetet i paqartë, edhe pse zyrtarisht qeveria pretendon se procedurat janë të rregullta.
Ai ngriti pikëpyetje mbi përdorimin e fondit të emergjencës për një aktivitet të tillë.
‘Nuk e di nëse ju ka rënë në sy, por që kur kanë nisur protestat, Edi Rama i cili prej vitesh tashmë, nisur dhe nga pozicioni i kryeministrit por dhe nga karizma e tij, ka orientuar dhe ka dominuar opinionin publik, ka sulmuar dhe ka qenë iniciatori i tij, në këtë një muaj e gjysmë gati është në pozita mbrojtëse, në pozita shpjeguese, duke tentuar që të viktimizohet…
Të bind apo nuk të bind, kjo është. Por ky është thelbi.
Dhe kjo është një nga ato gjëra të cilat dukeshin të paimagjinueshme, dhe që protesta e arriti, duke dominuar axhendën qeveritare, duke orientuar debatin publik dhe duke arritur edhe në pikën që edhe më skeptikët ndaj saj të pohojnë një fakt: që edhe nëse njerëzit ikin nga sheshi, problemet e tyre ata i marrin me vete në shtëpi apo në pushime, dhe askush nuk mund të vërë bast që ata nuk do të dalin sërish jashtë në vjeshtë.
Ndaj ajo çka duket si fitore e pjesshme, tërheqje e kështu, është vetëm një paqe e rreme dhe është vetëm çështje kohe që palët sërish të ballafaqohen. Dhe kryeministri, po e them edhe një herë, tashmë ngjan i detyruar që të përgjigjet politikisht për thelbin e asaj që provokoi protesta. Që e zhveshur nga gjithçka tjetër, ka një kërkesë themelore: që ka të bëjë me një togfjalësh është vetëm: me restaurimin e demokracisë në Shqipëri.
Me rikthimin e demokracisë në Shqipëri. Si, në çfarë mënyre e të tjerë, kjo është tjetër gjë, por kërkohet zgjidhje politike. Kjo është e para.
E dyta, shumë debat pati për koncertin dhe në fakt është më mirë të debatohet për muzikën, qoftë kjo edhe kur shijet personale nuk përputhen me të, sesa të diskutohet për lloj-lloj temash të tjera të cilat ne shqiptarëve duket sikur i shpikim nga hiçi.
Për të arritur në një konkluzion të panjashëm mbi këtë debat, do të duhej të shikonim të paktën tre dimensione: dimensionin ligjor të sponsorizimit të koncertit, dhe nuk ka emër tjetër përveçse sponsorizim ky lloj financimi in extremis i qeverisë për koncertin e tij, është dimensioni ekonomik dhe mbi të gjitha është edhe dimensioni moral.
Duke e nisur, jo sipas radhës, dimensioni ligjor është ende i paqartë. Formalisht duket se letrat janë në rregull, ka një akt normativ, një vendim të Këshillit të Ministrave. Por që është e paqartë se ku dhe si mbështetet. Ajo çka bën opozita që fton edhe SPAK-un për ta zgjidhur, është njëra anë e çështjes.
Po secili këtu mund të ketë mendimin e vet, dhe natyrisht një mendim i cili kontrason fort me faktin që këto para gjithsesi mund të kishin një rrugë tjetër, qoftë edhe për atë për të cilën është votuar në dhjetorin e vitit të kaluar në buxhetin e shtetit.
Ajo që quhet fond emergjence, preket për emergjencat, dhe nuk duket se çfarë emergjence kishte, përveç një shpjegimi shumë të vagullt, thuajse varej nderi i Shqipërisë në anulimin e koncertit të një artisti kontravers, i cili për më tepër në rastet e ngjashme është përzënë.
S’u shqetësua njeri në Britaninë e Madhe se i kishte humbur nderi, dinjiteti, qoftë i Mbretit, qoftë i ish-Perandorisë, qoftë edhe i kësaj demokracie nga më të vjetrat në Evropë. Thjesht i thanë: ti nuk na pëlqen, ti je non-grata në Britaninë e Madhe.
Dimensioni ekonomik, kishte të drejtë kur u ngatërrove pastaj te çështja e shifrave, sepse askush nuk e bën dot një llogari të tillë, sepse këto shifra variojnë nga ato pesimistet që janë 20 milionë deri tek ato të tjerat të cilat e çojnë fitimin indirekt te ekonomisë shqiptare në 100 milionë.
Nuk di se si është bërë kjo llogari, por fakti është që mbi gjysma e biletave kanë qenë dhuratë, kanë qenë.
Të shkosh të mbrosh artistin… Rama këto do i bënte më mirë se ky se unë s’kam ndonjë shije për të. Por gjithsesi, 40 mijë bileta janë blerë nga shteti. Por në qoftë se këto sërish janë të debatueshme, një gjë besoj se është shumë e qartë: dimensioni moral.
Kam përshtypjen se Rama vazhdon vesin e vjetër që nuk ka rëndësi se çfarë thuhet për ty, rëndësi ka që bëhesh lajm. Dhe koncerti i Kanye West në Tiranë ishte një lajm për mediat ndërkombëtare, por të cilat duke e lidhur me Shqipërinë e lidhnin dhe me figurën e tij, sidomos me qëndrimet e tij antisemite dhe neonaziste.
Që kanë qenë dhe arsyet pse ai u përzë, fjala vjen nga Britania e Madhe dhe në mos gaboj dhe nga Italia. Tani është kapur ky detaj dhe nga mediat ndërkombëtare, New York Times dje shkruante një gjë të tillë’, u shpreh Lorenc Vangjeli







