Në ditën e 47-të të protestës kundër qeverisë, qytetarët kanë vijuar tubimin para Kryeministrisë, duke lënë në shesh një mesazh gjigant të shkruar në tokë me mbishkrimin: “Rama-Balluku, SPAK YOU!”.
Mesazhi i drejtohet klasës politike dhe lidhet me kërkesat e protestuesve që Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të hetojë zyrtarët e lartë të qeverisë. Gjatë protestës, qytetarë dhe aktivistë shprehën mbështetjen për SPAK-un dhe GJKKO-n, por theksuan se presin hetime ndaj të gjithë zyrtarëve që dyshohen për korrupsion, duke nisur nga kryeministri Edi Rama.
Aktivistja Sidorela Vatnikaj deklaroi se mbështetja për institucionet e drejtësisë shoqërohet me kërkesën për veprime konkrete.
“Kemi thënë që i mbështesim, por jemi kërkues. Jemi mbështetës të procesit të hetimit ndaj zyrtarëve, por kërkojmë që të hetohen të gjithë, duke filluar nga Edi Rama, si koka e një organizate kriminale dhe jo më si një kryeministër”, u shpreh ajo.
Pas tubimit para Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin drejt zonës së Ish-Bllokut, duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Gjatë marshimit u dëgjuan thirrje si: “Shqipëria e Re”, “Revolucion”, “Ju erdhi fundi”, “Shqipëria kërkon revolucion” dhe “Poshtë patronazhistët”, ndërsa protesta vijoi pa incidente.







