Kur viteve të gjata në pushtet, me konsumimin e pashmangshëm që ato sjellin, u shtohet edhe një shoqëri që nis të shkundë pluhurin e apatisë së grumbulluar prej dekadash, çdo qeveri përballet me të njëjtën dilemë: të ndryshojë mënyrën si qeveris, ose të ndryshojë mënyrën si e rrëfen qeverisjen. Historia politike ka treguar se rruga e dytë është zakonisht më e shpejtë dhe shumë më pak e kushtueshme.
Në ditën e 55-të të protestës që zhvillohet çdo mbrëmje poshtë zyrës së tij, Edi Rama zgjodhi të fliste për “Pasqyrën Flamingo”, të pagëzonte me emrin “Besa” dokumentin politik të mandatit të katërt dhe të shpallte nisjen e një faze të re. Në thelb, gjatë një fjalimi njëorësh, ku çdo metaforë, nga flamingot te sorrat e “jargët e korbëve”, dukej e menduar në imtësi, Kryeministri tentoi ta paraqiste këtë moment si një thirrje për vetëreflektim, më shumë empati dhe rindërtimin e besimit mes shtetit dhe qytetarëve.
Por, në një kohë kur Rama ka ndryshuar disa herë kursin e retorikës për “Revolucionin Flamingo”, pa arritur të ndalë protestat e përnatshme, ekspertët e lexojnë këtë ndërhyrje si diçka më shumë sesa një dokument organizativ apo një korrigjim komunikimi.
Për ta, as fjalimi i reflektimit dhe as dokumenti “Besa” nuk përfaqësojnë një ushtrim të sinqertë vetëkritike e as një “mea culpa” politike, por një përpjekje për të ripozicionuar pushtetin në një moment të dukshëm konsumimi.
Kryeministri u rrek të lidhte shpërthimin e pakënaqësisë qytetare kryesisht me komunikimin arrogant të administratës dhe me rritjen e pritshmërive të qytetarëve, duke sugjeruar se vetë arritjet e qeverisë kanë prodhuar standarde më të larta dhe, rrjedhimisht, edhe kërkesa më të mëdha: “kërkesa prej qytetarësh evropianë”.
Por ekspertët argumentojnë se ai fjalim ishte një tentativë për një “rishpikje” të narrativës së Kryeministrit. Megjithatë, ata theksojnë se besimi nuk rikthehet vetëm duke ndryshuar gjuhën e komunikimit apo duke identifikuar arrogancën e administratës si problemin kryesor, për sa kohë modeli politik që i ka prodhuar këto fenomene mbetet i pandryshuar.
“Arroganca” përgjegjësi individuale apo produkt i modelit qeverisës?
Të ulur rreth tryezës së mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputetët prisnin fjalimin e liderit të tyre. Për më shumë se një orë, Edi Rama ndërtoi atë që e quajti “Pasqyra Flamingo”, një reflektim mbi mënyrën se si ishte ushtruar pushteti, mbi raportin e qeverisë me qytetarët dhe mbi nevojën, sipas tij, për të rindërtuar besimin e cenuar.
Ndër rreshta, mes një rezymeje të gjatë të “arritjeve historike” të qeverisë, Kryeministri identifikoi si një nga arsyet që kishte iniciuar “Revolucionin Flamingo” arrogancën dhe mungesën e empatisë së administratës publike.
“Unë pashë se sa e padurueshme është bërë për njerëzit mungesa e empatisë së njerëzve të shtetit, arroganca e zyrtarëve pa gjak”, deklaroi ai.
Për pedagogun e shkencave politike, Klejd Këlliçi, i gjithë fjalimi përfaqëson reagimin tipik të një lideri me tipare autoritare në një moment jo të volitshëm politik.
“Është fjalimi tipik i një lideri autoritar përpara një krize sociopolitike”, thotë ai.
Për njohësit e shkencave politike, përpjekja për ta lokalizuar problemin te administrata nuk është e re në diskursin politik të Ramës. Ai është thjesht një rast tjetër i atribuimit të problemit tek disa zyrtarë që “hanë dardha pas shpinës së tij”, ashtu siç është shprehur kryeministri në rastet e akuzave për korrupsion të disa prej bashkëpunëtorëve më të afërt, duke u mënjanuar nga përgjegjësia prej lideri.
Edhe gazetari dhe analisti Lutfi Dervishi e konsideron atribuimin e përgjegjësisë tek administrata si të pamjaftueshëm. Sipas tij, kjo e fundit nuk është shkaku i krizës, por derivat i mënyrës se si është ndërtuar dhe funksionon pushteti.
“Mendoj se problemi është më i thellë se administrata. Arroganca dhe paaftësia e saj janë simptoma, jo shkaku. Pas 13 vitesh në pushtet, administrata është produkt i modelit të qeverisjes, jo një realitet i shkëputur prej tij”, argumenton Dervishi.
Reduktimi i krizës vetëm te mungesa e empatisë së disa zyrtarëve, ndërkohë që në shesh artikulohen kërkesa të lidhura me vetë organizimin e ushtrimit të pushtetit, do të thotë, për Dervishin, të merresh vetëm me sipërfaqen e problemit.
“Kur qytetarët protestojnë për javë me radhë, duke kaluar nga një kauzë mjedisore te kërkesat për llogaridhënie, korrupsion dhe dorëheqje të Kryeministrit, kjo tregon se kriza lidhet me mënyrën si ushtrohet pushteti, si merren vendimet dhe sa funksionojnë institucionet, jo vetëm me sjelljen e nëpunësve”, argumenton ai.
Nga ana tjetër, ekspertët vënë në pikëpyetje edhe peshën reale që administrata mban në hartimin e politikave publike.
Profesori Këlliçi argumenton se ajo është kryesisht zbatuese besnike, ndërsa vendimmarrja politike mbetet e përqendruar në nivelet më të larta të qeverisjes.
“Administrata është vegël qorre, e cila merr sytë dhe drejtimin nga aparati qeverisës. Nëse fadromat e Bashkisë shkojnë, fjala vjen, në lagjen 5 Maji dhe prishin një sërë ndërtesash për t’i hapur rrugë ndërtimeve të klientëve të qeverisë, kjo nuk ka të bëjë me arrogancë, sa me përgjegjësi direkte të atyre që orientojnë dhe hartojnë politikat publike”, thekson Këlliçi.
Por edhe pse ekspertët e shohin aparatin e administratës të zhveshur nga çdo fuqi vendimmarrëse, apo më së paku iniciativëbërëse, kjo nuk i ka shpëtuar që të vihet në qendër të kritikave të kreut të qeverisë.
“Besa” simboli i lashtë për një krizë të re
Pas një fjalimi 60-minutësh, i cili ngjante më shumë me një analizë piko-analitike të protestës në spektrin e Kryeministrit, një dokument disa faqësh u bë i njohur për deputetët e PS-së.
Mbi kopertinën e tij shkruhej “Besa”, një fjalë simbol që dukej se ishte nxjerrë nga Eposi i lashtë i Kreshnikëve dhe ishte vendosur si titull i dokumentit të ashtuquajtur strategjik, i cili iu la detyrë gjatë pushimeve të verës deputetëve të Partisë.
“Do ta merrni të gjithë me vete për ta shkoqitur qetësisht gjatë pushimeve, sepse është i hapur për, siç thashë, kontribute”, u tha ai.
Teksti prej rreth 40 faqesh, që më pas u publikua në media, nuk ofron statistika, objektiva të matshëm apo një plan të detajuar qeverisës. Ai i ngjante më tepër një manuali komunikimi, përmes të cilit Kryeministri do të bënte të mundur ndryshimin e kursit të mënyrës qeverisëse, duke u përpjekur të riformulojë marrëdhënien mes pushtetit dhe qytetarit.
“Besa”, siç tha edhe Kryeministri, një emër që “do të ngjallte debat”, është fjala që, sipas studiuesve të politikës, përfaqëson një përpjekje për të rikthyer një element të konsumuar gjatë viteve të gjata në pushtet: besimin.
Gazetari dhe analisti Aleksandër Çipa e vendos publikimin e dokumentit në kontekstin e krizës më të madhe të besueshmërisë që, sipas tij, po kalon vetë Kryeministri.
“Ky dokument vjen në një moment që vetë kryeministri, si politikan jetëgjatë në qeverisje dhe dominues i realitetit politik, ka pësuar dhe po përjeton një krizë të besueshmërisë publike, por sidomos krizën e besueshmërisë së fjalës së vet”, tha ai.
“Empatia”, “dëgjimi” dhe “vendosja e qytetarit në qendër” përbëjnë boshtin e shtatë pikave që dominuan jo vetëm fjalimin, por edhe dokumentin.
Megjithatë, sipas Aleksandër Çipës, kjo përpjekje mbetet e pamjaftueshme. Sipas tij, fitimi i besimit të qytetarit do të kërkonte një përmbysje tërësore të realitetit politik aktual.
“Perceptimi ndryshohet me akte dhe procese kapërcyese në tri plane: së pari, në shembjen e perceptimit të dekriminalizimit të marrëdhënieve shtet-veprimtari kriminale; së dyti, me një trajtim rrënjësisht të reformuar të problemit të pronësisë; dhe së treti, me një ndryshim të plotë të raportit të shtetit me qytetarin, ku shteti të jetë në shërbim të tij dhe jo përcaktues i fatit të tij”, argumenton ai.
Profesori Këlliçi argumenton gjithashtu se prej shumë vitesh e gjithë struktura qeverisëse është angazhuar në synimet për ndërtimin e një imazhi të shitshëm jashtë vendit dhe energjitë e tyre janë zhvendosur në krijimin e imazhit dhe jo në mirëqenien reale të qytetarit.
Kësisoj, edhe dokumentin, profesori e sheh si një instrument kërcënimi për grupin parlamentar të PS-së dhe një manual orientimi të Kryeministrit për të disiplinuar shumicën e tij socialiste.
“U duk sikur Besa ishte një kërcënim/siguri për grupin parlamentar, i cili është jo vetëm i dobët, por i paaftë të përballet me kriza politike pa u fshehur prapa Ramës. Besa është njëfarë orientimi politik për të krijuar një identitet, të cilin deputetët e PS-së nuk e kanë për shkak të rrethanave politike, dhe mos të harrojmë se brenda mazhorancës ka tensione politike si në qendër, ashtu edhe në periferi, të cilat mund të shpërthejnë në çdo moment”, argumenton ai.
Por, përpos një mesazhi simbolik, Këlliçi nuk vëren në përmbajtjen e dokumentit ndonjë risi substanciale në raport me politikat publike.
“Dokumenti dhe pikat e tij ngjanin më shumë me një udhëzues të brendshëm, të ngjashëm me materialet që shpërndahen në retreat-et e kompanive për të krijuar identitet organizativ, sesa me një dokument që orienton politika publike”, thekson ai.
Shteg.org u dërgoi pyetje drejtuesit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, si edhe deputetes Elisa Spiropali, por deri në publikimin e këtij shkrimi, asnjëri prej tyre nuk zgjodhi të komentojë.
Rilindja 2.0: A po “rishpiket” Edi Rama?
“Shqiptarët do të zgjedhin mes rrënimit dhe Rilindjes” ishte mbase një nga sloganet më të përdorura nga Edi Rama në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, me të cilin premtonte një cikël të ri politik për vendin.
Trembëdhjetë vjet më vonë, Kryeministri duket se po u flet sërish shqiptarëve për një fillim të ri.
“Rilindja 2.0 është emri që ne i vumë ciklit të ri politik”, tha Rama në mbledhjen e Grupit Parlamentar të 24 korrikut.
Për ekspertët, ky nuk është vetëm një ndryshim terminologjie, por një përpjekje për të riformatuar narrativën politike në një moment kur qeverisja përballet me konsumimin e natyrshëm të pushtetit dhe me një klimë në rritje të pakënaqësisë.
“Edi Rama ka treguar disa herë aftësi për të ndryshuar narrativën politike dhe për të riformatuar debatin publik. Në këtë kuptim, Rilindja 2.0 duket si një përpjekje për të hapur një cikël të ri politik”, argumenton Lutfi Dervishi.
Megjithatë, studiuesit mbeten skeptikë nëse një ndryshim i narrativës mjafton për të rindërtuar besimin publik.
“Ndërtimi i imazhit është ankthi konstant i kësaj qeverie, por nuk besoj se ka më ndonjë efekt”, thotë pedagogu Këlliçi.
Sipas tij, fuqia mobilizuese e konceptit të “Rilindjes” i ka ardhur në ndihmë Partisë Socialiste vetëm në 2 mandatet e para, ndërsa fitoren e dy zgjedhjeve të tjera ai ia delegon “inxhinierisë elektorale”.
“Garancia më e madhe e Rilindjes nuk është imazhi, as rishpikja e narrativave. Të dyja kanë vdekur me zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2017. Zgjedhjet e vitit 2021 dhe 2025 janë kryekëput produkt i inxhinierisë elektorale, në kuptimin e ligjit elektoral, përdorimit pa limit të burimeve administrative dhe rolit të aktorëve të tretë, si krimi i organizuar dhe klientelizmi”, argumenton ai.
Sipas ekspertëve, është konteksti politik ai që e bën edhe më të vështirë funksionimin e një narrative të re. “Revolucioni i Flamingove”, që vijon prej më shumë se 60 ditësh, sipas tyre, e ka tejkaluar prej kohësh kundërshtimin ndaj një projekti ndërtimi në një zonë të mbrojtur dhe është shndërruar në një platformë më të gjerë pakënaqësie ndaj mënyrës së qeverisjes.
“Protesta nuk ka mbetur më vetëm te një resort apo një projekt, por është zgjeruar në akuza për korrupsion, kapje të shtetit dhe mungesë llogaridhënieje. Për këtë arsye, një markë e re politike nuk mjafton”, thotë Dervishi.
Publicisti Çipa argumenton se një imazh i ri po lind në politikën shqiptare, por ai nuk i përket më pushtetit, por vetë protestës.
“Në realitetin aktual politik të vendit, me kontrastin e thellë mes imazhit të protestës dhe status quo-së së qeverisjes, po lind ose do të lindë diçka e re. Kjo nuk është profeci. Në 35 vite jetë mes Shqipërisë dhe botës perëndimore, shoqëria shqiptare ka ndryshuar individët e saj”, argumenton ai.
“Besa”, “Pasqyra Flamingo” dhe “Rilindja 2.0” duket se janë tre emërtime të së njëjtës përpjekje politike: rikthimi i një besimi të konsumuar mes pushtetit dhe qytetarit.
Por, ndërsa ekspertët argumentojnë se pushteti mund të ndryshojë gjuhën me të cilën flet, ata mbeten skeptikë nëse kjo do të thotë edhe ndryshim i mënyrës se si ai qeveris.
Edi Rama ka treguar ndër vite aftësi për të riformuluar narrativën politike, por “Revolucioni Flamingo”, i cili prej 2 muajsh është një realitet i pamohueshëm, e ka zhvendosur debatin përtej gjuhës së komunikimit.
Ekspertët argumentojnë se ai mund të ketë lëkundur edhe balancat e sistemit. Nëse deri dje protesta ishte objekti që pushteti përpiqej ta shpjegonte, sot ajo duket se është bërë faktori që po e detyron pushtetin të rishkruajë narrativën e vet./shteg.org







