Nga Muriel
Kur Shqipëria merr nga Europa mburojën e bankës qendrore, por jo të gjithë mekanizmat europianë të kontrollit
Në Tiranë po kalon pothuajse në heshtje një projektligj që prek një nga institucionet më të rëndësishme të shtetit. Nuk flet për rrugë, taksa apo paga. Flet për Bankën e Shqipërisë – institucionin që ruan monedhën, administron rezervën valutore, ndikon mbi normën e interesit dhe, në fund të fundit, mban një pjesë të besimit të qytetarëve se paratë e tyre nuk do të kthehen në instrument të politikës së ditës.
Projektligji paraqitet nën dy fjalë që në Shqipëri tingëllojnë thuajse si garanci automatike: pavarësi dhe Bashkim Europian. Askush serioz nuk mund të jetë kundër pavarësisë së bankës qendrore. Asnjë qeveri nuk duhet t’i tregojë Bankës së Shqipërisë sa para të hedhë në qarkullim, çfarë norme interesi të vendosë apo si të administrojë rezervat e vendit. Por pikërisht sepse pavarësia është kaq e rëndësishme, ajo nuk mund të përdoret si fjalëkalim për të mbyllur dyert e kontrollit.
Kur drafti lexohet nen pas neni, shfaqen tri ndryshime që, të vendosura bashkë, zhvendosin ndjeshëm ekuilibrin institucional. Së pari, Guvernatori dhe Zëvendësguvernatorët nuk mund të arrestohen, të privohen nga liria apo t’u kontrollohet personi dhe banesa pa autorizimin paraprak të Gjykatës Kushtetuese, përveç rasteve të flagrancës. Gjykata ka dy javë për të vendosur dhe, nëse nuk shprehet, kërkesa konsiderohet e refuzuar.
Së dyti, hiqet funksioni i Inspektorit të Përgjithshëm, i cili sot zgjidhet nga Kuvendi. Në vend të tij krijohet një departament i auditit të brendshëm, drejtori i të cilit emërohet nga Këshilli Mbikëqyrës me propozimin e Guvernatorit. Edhe procedura për largimin e tij mund të nisë me propozimin e po këtij Guvernatori.
Së treti, kufizohet ndjeshëm roli i Kontrollit të Lartë të Shtetit. KLSH-ja do të kontrollojë kryesisht administratën, pajisjet, personelin, aktivet dhe shërbimet mbështetëse. Jashtë kontrollit të saj mbeten politika monetare, stabiliteti financiar, operacionet e tregut, funksionet themelore dhe pasqyrat financiare të bankës. Banka e Shqipërisë nuk do të jetë as e detyruar të hartojë plan veprimi për trajtimin e rekomandimeve të KLSH-së.
Secila prej këtyre masave mund të shpjegohet veçmas me argumente teknike. Por, të marra së bashku, ato vendosin tre dryna mbi të njëjtën derë: një për drejtësinë, një për Kuvendin dhe një për kontrollin e jashtëm. Kjo nuk është më vetëm reformë administrative. Është rishpërndarje e pushtetit brenda një institucioni që administron interesa jetike publike.
Bashkimi Europian kërkon që guvernatorët të mbrohen nga presioni politik. Një qeveri nuk duhet të mund ta largojë drejtuesin e bankës qendrore vetëm sepse nuk i pëlqen një vendim mbi normën e interesit. Por ka një dallim të madh mes mbrojtjes së mandatit dhe krijimit të një filtri të posaçëm për arrestimin ose kontrollin e banesës.
Rasti i ish-guvernatorit të Bankës së Letonisë, Ilmārs Rimšēvičs, e bëri të qartë këtë kufi. Drejtësia europiane pranoi mbrojtjen funksionale për veprimet e kryera gjatë ushtrimit të detyrës, por jo paprekshmërinë nga procedimi penal për sjellje jashtë funksionit. Europa mbron vendimmarrjen monetare të guvernatorit; nuk e vendos personin e tij jashtë veprimit normal të ligjit.
Neni shqiptar nuk e ndalon prokurorinë të hetojë, por mund të vonojë ose të pengojë masa që kërkojnë shpejtësi dhe fshehtësi. Kontrolli i një banese nuk është procedurë që mund të presë pa pasoja dy javë. Dhe kur heshtja e Gjykatës Kushtetuese barazohet me refuzimin, mosveprimi institucional prodhon të njëjtin rezultat si vendimi kundër prokurorit. Pyetja që qeveria duhet t’i përgjigjet është e thjeshtë: cili dokument i Bashkimit Europian e kërkon pikërisht këtë mbrojtje?
Edhe kalimi nga Inspektori i Përgjithshëm te një audit profesional brenda bankës nuk është domosdoshmërisht antieuropian. Shumë banka qendrore e organizojnë auditin e brendshëm si pjesë të strukturës së tyre. Por pavarësia nuk krijohet vetëm duke e shkruar këtë fjalë në ligj. Ajo matet me mënyrën e emërimit, sigurinë e mandatit, linjën e raportimit dhe personin që mund të nisë largimin e kontrolluesit.
Kur Guvernatori propozon drejtuesin e auditit dhe mund të iniciojë edhe procedurën e shkarkimit të tij, lind natyrshëm pyetja se sa i lirë do të jetë audituesi kur duhet të kontrollojë vetë qendrën drejtuese të bankës. Ky dyshim bëhet më serioz kur, paralelisht, Kuvendi humbet një kompetencë dhe KLSH-së i ngushtohet fusha e veprimit. Nëse auditin e brendshëm e vendos plotësisht brenda bankës, duhet të forcosh kontrollin e jashtëm. Projektligji rrezikon të bëjë të kundërtën.
Shembujt europianë tregojnë se pavarësia monetare mund të bashkëjetojë me llogaridhënien publike. Në Gjermani, audituesit e Bundesbankës zgjidhen në marrëveshje me Gjykatën Federale të Auditimit, ndërsa raportet financiare, kostot dhe investimet i vihen në dispozicion Bundestagut. Në Poloni, institucioni suprem i auditimit mund të kontrollojë bankën qendrore për ligjshmëri, mirëadministrim dhe korrektësi. Në Kroaci, kontrolli publik ruhet në fushat që nuk ndërhyjnë në politikën monetare. Në Rumani, Guvernatori paraqet në Parlament raportin vjetor, pasqyrat financiare dhe raportin e auditimit.
Europa nuk ofron një model të vetëm, por përsërit një parim të qartë: sa më e pavarur të jetë banka qendrore, aq më të dukshme duhet të jenë kanalet e llogaridhënies. Auditi financiar nuk është ndërhyrje në normën e interesit. Kontrolli i prokurimeve nuk është sulm ndaj lekut. Detyrimi për t’iu përgjigjur rekomandimeve nuk është nënshtrim politik. Është minimumi që një institucion publik u detyrohet qytetarëve.
Projektligji nuk duhet sulmuar me populizëm. Banka e Shqipërisë duhet të mbrohet nga qeveritë, partitë dhe interesat elektorale. Por drafti duhet korrigjuar aty ku pavarësia fillon të ngjajë me paprekshmëri. Duhet të mbrohen mandatet dhe vendimmarrja monetare, jo të ndërtohet një filtër i përgjithshëm penal. Duhet të ketë audit profesional, por jo një kontrollues që varet në hyrje dhe në dalje nga drejtuesi që duhet të kontrollojë. KLSH-ja duhet ndaluar të diktojë politikën monetare, por jo të përjashtohet nga kontrolli financiar dhe i ligjshmërisë.
Kuvendi nuk duhet të pyesë vetëm nëse projektligji përdor gjuhën e Europës. Duhet të pyesë nëse ndërton edhe ekuilibrat e saj.
Sepse moderniteti i një banke qendrore nuk matet me sa dyer arrin të mbyllë. Matet me aftësinë për të marrë vendime pa urdhra politikë dhe për të dhënë llogari pa privilegje personale.
Pa pavarësi, banka qendrore mund të bëhet instrument i qeverisë. Por pa kontroll, ajo mund të bëhet republikë më vete. Dhe kur mbi të njëjtën derë vendosen tre dryna, pyetja nuk është më vetëm çfarë po mbrohet brenda kështjellës.Pyetja është se kë po përpiqen të mbajnë jashtë saj./vna







