Ballina Aktualitet Rama publikon guidën turistike për Nepravishtën, 8 arsye pse duhet vizituar fshati...

Rama publikon guidën turistike për Nepravishtën, 8 arsye pse duhet vizituar fshati i Libohovës

50
0

Nepravishta, një prej fshatrave karakteristikë të zonës së Libohovës, 20 kilometra nga Gjirokastra, është destinacioni i radhës që promovon kryeministri Edi Rama nga Shqipwria turistike. Përmes një guide vizuale të publikuar kwtw tw dielw në rrjetet sociale, ai prezanton tetë ndalesa që ndërthurin historinë, natyrën, traditën dhe mikpritjen vendase.

Në postimin e tij, Rama fton vizitorët të zbulojnë fshatin jo vetëm përmes monumenteve dhe peizazheve, por edhe përmes përvojave që lidhen me jetën e përditshme të banorëve.

“Aty ku çdo shteg të çon te një xhami e vjetër, te një oborr prodhuesi vaji ulliri, patjetër në tavolinën e një familjeje, edhe një ecje në kodrat e Buretos me shijimin e mjaltit dhe natyrës”, shkruan ai.

Guida nis nga Ballkoni i Fshatit, pika panoramike që ofron pamje mbi Nepravishtën, Luginën e Drinos dhe vargmalet përreth. Më pas itinerari vazhdon me një përvojë kulinarie në një familje vendase, ku vizitorët mund të provojnë gatime tradicionale, përfshirë lakrorin me thërrime, një nga recetat karakteristike të zonës.

Një tjetër ndalesë është Hadrianopoli, ku ruhen gjurmët e qytetit antik, ndërsa më tej guida sugjeron një vizitë në një bletari familjare për t’u njohur me prodhimin e mjaltit dhe traditën që e shoqëron.

Itinerari vijon te Teqeja e Melanit, mes selvive dhe kopshteve të saj, më pas në livadhet e Revanit, të njohura për shtigjet panoramike, dhe në Lagjen e Poshtme të Nepravishtës, ku shtëpitë prej guri dhe oborret me trëndafila ruajnë arkitekturën tradicionale të fshatit.

Ndalesa e fundit është mali i Buretos, ku ecja në natyrë shpërblehet me pamje të gjera mbi gjithë zonën, duke e mbyllur itinerarin me një nga pikat më panoramike të Nepravishtës.

Përmes kësaj guide, Nepravishta prezantohet si një destinacion ku vizita nuk kufizohet vetëm te peizazhi apo monumentet. Çdo ndalesë lidhet me një përvojë, qoftë një shëtitje në natyrë, një takim me prodhues vendas apo një vakt në një familje të zonës, duke i dhënë vizitorëve mundësinë të njohin nga afër traditat dhe jetën e përditshme të këtij fshati në jug të vendit.