SPAK dhe BKH kanë ushtruar kontrolle mëngjesin e sotëm në disa banesa në Tiranë, përfshirë banesat e drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe disa ish-zyrtarëve të tjerë.
Kontrolle janë kryer dhe në Shkozet të Durrësit.
Mësohet se janë sekuestruar kamerat e sigurisë së zonës. Nuk dihet nëse arrestimi i Embro Sulejmani, pronar i një biznesi në Durrës është bërë në këtë zonë.
Sulejmani është menaxher i një restoranti të njohur, i cili është denoncuar jo pak herë nga kreu i PD, Sali Berisha, si vendi ku zhvilloheshin takimet e Ergys Agasit me eksponentë të politikës dhe krimit.
Ndërsa dyshohet se në këtë zonë të Shkozetit ka qëndruar Ergys Agasi gjatë 8 muajve të arratisjes.
Përveç masës ‘arrest shtëpie’ për Vlora Hysenin, shefen e SHISH, janë ekzekutuar dhe 2 masa sigurie, një në Durrës dhe 1 në Tiranë. Mësohet se është ekzekutuar masa për Fatjon Kalluci – shef tek laboratori shkencor i policisë dhe Embro Sulejmani – pronar biznesi në Durrës.







