Ballina Sport ​Përplasja mes UEFA-s dhe FIFA-s kalon në një fazë serioze

​Përplasja mes UEFA-s dhe FIFA-s kalon në një fazë serioze

142
0

FIFA dhe UEFA janë përfshirë në një përplasje të ashpër ligjore dhe politike, e cila lidhet me projektin e braktisur të FIFA Forëard Enterprise dhe tashmë ka kaluar në gjykatat amerikane.

FIFA, në dokumentet e dorëzuara në një gjykatë federale në Florida, e ka akuzuar UEFA-n për zhvillimin e një “fushate dezinformimi” kundër presidentit Gianni Infantino, duke pretenduar se veprimet e saj synojnë të ndikojnë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të organizatës.

Përplasja lidhet me FIFA Forëard Enterprise, një projekt përmes të cilit FIFA kishte planifikuar të krijonte një subjekt të ri komercial që do të bashkonte të drejtat televizive, sponsorizimet, licencimet, biletat dhe operimin e garave të FIFA-s, përfshirë Kupën e Botës. Projekti parashikonte edhe përfshirjen e investitorëve privatë.

Në korrik, FIFA e kishte vlerësuar subjektin e ri në rreth 20 miliardë dollarë dhe kishte parashikuar shitjen e një pjese minoritare të tij te investitorët e jashtëm. Mes investitorëve të synuar ishte edhe Thrive Eternal, e lidhur me Thrive Capital të Joshua Kushner.

UEFA e kundërshtoi fuqishëm projektin dhe në gusht kërkoi nga një gjykatë amerikane që t’i mundësonte sigurimin e dokumenteve dhe dëshmive nga entitete të FIFA-s në Florida. UEFA pretendon se projekti ishte zhvilluar pa konsultim të mjaftueshëm me strukturat drejtuese të FIFA-s dhe se vlera prej rreth 20 miliardë dollarësh e FFE-së ishte shumë e ulët krahasuar me vlerën reale të të drejtave komerciale të FIFA-s. UEFA ka thënë gjithashtu se po shqyrton mundësinë e procedurave penale në Zvicër ndaj Infantinos dhe personave të tjerë të përfshirë.

FIFA i ka mohuar kategorikisht këto akuza. Në kundërshtimin e saj në gjykatë, organizata argumenton se UEFA po e interpreton gabimisht strukturën financiare të projektit dhe po ngatërron vlerën e kapitalit me vlerën totale të ndërmarrjes. Sipas FIFA-s, vlera e ndërmarrjes do të ishte mbi 30 miliardë dollarë.

“Pa asnjë bazë, UEFA sugjeron që z. Infantino kërkoi të përfitonte personalisht nga propozimi i FFE-së”, thuhet në dokumentin e FIFA-s, sipas Reuters. FIFA ka mohuar gjithashtu se Infantino ka shkelur ligjin apo parimet etike.

FIFA e lidh drejtpërdrejt aksionin ligjor të UEFA-s me zgjedhjet presidenciale të organizatës, duke pretenduar se kërkesat për dokumente janë paraqitur në një moment politik të ndjeshëm dhe mund të ndikojnë në procesin zgjedhor.

Projekti FFE u braktis në fillim të gushtit pas kundërshtimit të fortë nga UEFA, CONCACAF dhe Konfederata Aziatike e Futbollit. FIFA kishte argumentuar se iniciativa do të rriste ndjeshëm të ardhurat dhe fondet për 211 federatat anëtare, ndërsa kundërshtarët vunë në pikëpyetje mënyrën se si ishte zhvilluar dhe strukturuar projekti.

Përplasja vjen në një moment kur UEFA dhe CONCACAF po kërkojnë gjithashtu që FIFA të shpërndajë të paktën 10 milionë dollarë për secilën prej 211 federatave anëtare për ciklin 2027–2030, nga rezervat e organizatës. FIFA ka nisur një shqyrtim të kësaj kërkese.

Kështu, mosmarrëveshja rreth FFE-së tashmë është shndërruar në një konflikt më të gjerë mbi mënyrën se si FIFA menaxhon të drejtat e saj komerciale, shpërndarjen e të ardhurave dhe qeverisjen e futbollit botëror.