Marjana Koçeku u drejtohet me letër të hapur përfaqësive diplomatike në Shqipëri: Kërkon hetim të dhunës policore ndaj studentëve dhe identifikimin e personave civilë që ndërhyjnë në protesta
Deputetja e pavarur e Kuvendit të Shqipërisë, Marjana Koçeku, u ka drejtuar një letër të hapur përfaqësive më të larta diplomatike dhe institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, duke ngritur shqetësimin për dhunën policore ndaj protestuesve, veçanërisht të miturve, ndalimet arbitrare dhe ndërhyrjet e personave me veshje civile, pa shenja identifikimi policor.
Letra, e datës 16 tetor 2026, i është drejtuar Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Prezencës së OSBE-së, Zyrës së Këshillit të Evropës, Koordinatorit të Përhershëm të Kombeve të Bashkuara, si dhe drejtuesve të misioneve diplomatike të akredituara në Shqipëri.leter, ambasadorve,
Në dokumentin zyrtar, Koçeku shpreh shqetësimin për përdorimin e tepruar të forcës nga policia, goditjen e protestuesve të shtrirë në tokë, keqtrajtimin gjatë ndalimeve dhe raportimet për shkelje të të drejtave të personave të shoqëruar në komisariate.
Një vëmendje të veçantë deputetja i kushton ndërhyrjeve të personave me veshje civile, pa identifikim policor, të cilët, sipas saj, kanë marrë dhe larguar me forcë protestues nga tubimet publike. Ajo kërkon sqarimin e identitetit të këtyre personave, kompetencave të tyre, bazës ligjore të ndërhyrjeve dhe zinxhirit të komandimit.
Koçeku ngre gjithashtu pikëpyetje për planifikimin, mbikëqyrjen dhe drejtimin e operacioneve policore, duke kërkuar që hetimet të mos kufizohen vetëm te veprimet individuale të efektivëve, por të shqyrtojnë edhe përgjegjësinë e drejtuesve të operacioneve.
Përmes gjashtë kërkesave konkrete, deputetja u bën thirrje përfaqësive ndërkombëtare të dënojnë publikisht dhunën policore, të kërkojnë hetime të menjëhershme, të pavarura dhe të paanshme, të mbrojnë të drejtat e të miturve të ndaluar dhe t’i ngrenë këto shqetësime pranë qeverisë shqiptare përmes kanaleve diplomatike.
Ajo kërkon gjithashtu ndjekjen e rezultateve të hetimeve dhe monitorimin ndërkombëtar të respektimit të të drejtave të njeriut.
Në përfundim të letrës, Koçeku thekson se procesi i integrimit evropian të Shqipërisë nuk mund të ndahet nga respektimi i lirive themelore, parimeve demokratike dhe shtetit të së drejtës.
Sipas deputetes, reagimi institucional ndaj dhunës policore dhe ndërhyrjeve të personave të paidentifikuar do të jetë një tregues i rëndësishëm i përkushtimit të Shqipërisë ndaj standardeve demokratike dhe evropiane.







