Ballina Kosovë Kurti në tri ditë: Macron, Sorensen dhe Irlanda. Kërkon statusin e kandidatit...

Kurti në tri ditë: Macron, Sorensen dhe Irlanda. Kërkon statusin e kandidatit dhe njohjen nga Serbia

51
0

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Irlanda mbështetje për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian dhe NATO-s, në ditën e dytë të një turi diplomatik që nisi në Paris me takimet me presidentin francez Emmanuel Macron dhe të dërguarin e BE-së për dialogun, Peter Sorensen.

Kurti u prit të enjten në Dublin nga kryeministri irlandez, Micheál Martin, në hapje të samitit të nëntë të Komunitetit Politik Evropian, që mbledh liderët e vendeve të BE-së dhe të shteteve të tjera evropiane.

“Llogarisim në presidencën irlandeze”

Pas pritjes, Kurti e cilësoi Irlandën shembull suksesi të integrimit evropian dhe tha se hapi i parë për Kosovën është statusi i vendit kandidat.

“Republika e Kosovës gjithashtu dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO, por për të arritur aty së pari duhet të marrim statusin e vendit kandidat dhe të hapim negociatat për anëtarësim. Ne llogarisim në presidencën irlandeze”, deklaroi Kurti.

Irlanda e mban presidencën e radhës të BE-së deri në fund të vitit. Këtë javë në Dublin zhvillohen edhe samiti i Komunitetit Politik Evropian, edhe takimi joformal i Këshillit Evropian.

Kurti falënderoi popullin irlandez që në vitin 1999 strehoi mbi një mijë refugjatë shqiptarë të dëbuar nga Kosova, si dhe ushtarët e oficerët irlandezë që shërbejnë në KFOR prej më shumë se dy dekada e gjysmë. Sipas tij, BE dhe NATO janë organizata të domosdoshme për demokracinë, prosperitetin dhe sigurinë, ndërsa takime si ky i Dublinit kanë rëndësi në kohën kur agresioni rus në Ukrainë vazhdon edhe përmes sulmeve ndaj infrastrukturës kritike dhe luftës hibride.

“EPC ndihmon, sepse mblidhen liderët dhe bashkojnë forcat”, tha ai.

Te Macron: Mbështetje për statusin e kandidatit

Një ditë më parë, të mërkurën, Kurti u prit nga presidenti Macron në Pallatin Élysée, pasi të martën mbrëma kishte marrë pjesë në darkën e shtruar nga presidenti francez për pjesëmarrësit e Forumit të Paqes në Paris.

“Franca ka qenë aleate e fuqishme e Kosovës që nga lufta jonë për çlirim dhe pavarësi dhe mbetet partnere e afërt dhe e rëndësishme e vendit tonë”, shkroi Kurti pas takimit. “Theksova rëndësinë e mbështetjes së Francës për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.”

Kurti tha se vlerësoi edhe nismën e Macronit për mbrojtjen e fëmijëve nga rreziqet e përdorimit të teknologjisë, ndërsa Kosova iu bashkua deklaratës politike të Samitit të Fëmijëve në forumin e Parisit.

Te Sorensen: Normalizim me njohje reciproke

Në margjinat e forumit, Kurti u takua edhe me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

“Diskutuam për stabilitetin e plotë institucional që gëzon tashmë Kosova pas zgjedhjes së presidentit, rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në BE, si dhe perspektivat për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me fokus njohjen reciproke”, shkroi Kurti.

Sorensen e cilësoi takimin si shkëmbim të mirë mendimesh. Ai tha se, tani që institucionet në Prishtinë janë formuar, u diskutua për hapat e ardhshëm në dialogun Beograd-Prishtinë dhe për aspektet e normalizimit që kanë rëndësi për njerëzit në terren dhe për rajonin.

Gjatë qëndrimit në Paris, Kurti përsëriti edhe pritjen që udhëheqja e re e Serbisë ta njohë Kosovën si shtet të pavarur.