Ballina Kulturë Bajram Curri më shumë se një hero në historinë tonë të lavdishme...

Bajram Curri më shumë se një hero në historinë tonë të lavdishme kombëtare

40
0

Nga Lekë Mrijaj

Në përmasat e kujtesës historike kombëtare, figura lapidare e Bajram Currit nuk mund të trajtohet si një episod i izoluar apo si një simbol statik i lavdisë së kaluar. Ai është mishërimi i qëndresës shqiptare, i flijimit në emër të lirisë dhe një figurë që përbën boshtin e pandashëm të përpjekjeve për çlirimin dhe bashkimin tonē mbarkombëtar.

Vepra e Gani Qarrit me titull “BAJRAM CURRI, TRIBUN I KOMBIT-(Bajram Curri me bashkëluftëtarët e tij)”,  është më shumë se një retrospektivë historike, ajo më konkret është një nderim, një analizë dhe një dëshmi e dokumentuar që i jep kësaj figure karizmatike peshën e merituar në ndërgjegjen e sotme kombëtare. Nëpërmjet një ndërtimi kronologjik, të saktë dhe emocionalisht të ngarkuar, autori Gani Qarri nuk paraqet vetëm një biografi, por një rrëfim të thelluar të konteksteve historike që shënjuan jetën dhe misionin e patriotit-Bajram Currit, duke i dhënë lexuesit dhe studiuesve një pasqyrë të qartë të përballjeve të një kombi në formim e sipër, me armiq të jashtëm dhe pengesa të brendshme.

Autori Qarri në këtë libër nis rrëfimin me një fakt historik tejet domethënës, duke filluar nga e lindja e Bajram Currit dhe internimin e familjes së tij nga autoritetet e përandorisë osmane, pra, një motiv që paralajmëron sfidat që do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës. Qarri e përdor këtë fakt jo vetëm si një moment historik, por edhe si simbolikë të një jete që do të zhvillohej nën hijen e persekutimit dhe përballjes me perandoritë dhe padrejtësitë ndaj shqiptarëve.

Fillim libri i Qarrit shërben për të vendosur peshën e veprës, një figurë që nuk i përket thjesht një regjistri historik, por që mishëron dramën kolektive të një kombi që përpiqet të mbijetojë dhe të afirmohet në një Evropë që po përjetonte ndryshime rrënjësore. Vrasja e babait të Bajram Currit, pra, Shaqirit, është përshkruar me ndjeshmëri të veçantë nga autori, si një plagë personale, por edhe si një ngjarje që thelloi ndërgjegjen patriotike të Bajramit të ri. Studiuesi Qarri, e sheh këtë moment si pikë kthese, ku dhimbja personale shndërrohet në ndjenjë kolektive të përbashkët dhe përkushtim ndaj çështjes së gjithmbarshme shqiptare. Pjesëmarrja e hershme në strukturat kombëtare si Lidhja Shqiptare e Prizrenit dhe më pas në lëvizjet kombëtare të fillimshekullit XX, tregon një formim politik të thelluar, ku idealizmi bashkohet me realizmin strategjik.

Në vazhdim të librit studiesi Gani Qarri ofron një përshkrim të gjerë të rolit aktiv që Bajram Curri e luajti në kryengritjet e armatosura shqiptare kundër Perandorisë Osmane. Ai përmend me hollësi betejat dhe përplasjet në verilindje të Shqipërisë, duke theksuar guximin, idealin, por edhe vizionin politik të Currit.  Këtu lexuesi e sheh Bajram Currin jo thjesht si luftëtar, por si lider më karizmatik dhe tejët të mençur, që kuptonte rëndësinë e diplomacisë, unitetit dhe domosdoshmërinë për të koordinuar aksionet me udhëheqës të tjerë, si Isa Boletini, Hasan Prishtina dhe Ismail Qemali.

Themeli i Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës më 1918 është një ndër pikat më të rëndësishme të veprës. Qarri e analizon këtë strukturë si një përpjekje strategjike për të mbrojtur interesat e shqiptarëve të mbetur jashtë kufijve të shtetit të ri shqiptar.
Pikërisht edhe në vazhdim të librit vërehet kjartë përdorimi i fusnotave dhe burimeve tjera historike, letërkëmbimeve dhe deklaratave publike të kohës. Qarri në librin e tij siq e potencuam edhe sipër, paraqet përpjekjet e Komitetit për të ndërhyrë edhe në rrafshin ndërkombëtar, përmes letrave drejtuar presidentit amerikan Wilson dhe kancelarive tjera evropiane, një përpjekje e admirueshme për kohën, që shpesh harrohet apo nuk deshirojnë ti konceptojnë në tekstet zyrtare të historisë sonë.

Vepra shkencore analizon me mprehtësi bashkëpunimin e Bajram Currit me figurat që organizuan Kongresin e Lushnjës në vitin 1920. Qarri thekson se ky kongres përfaqësonte një ringjallje të shpresës për pavarësinë e plotë të Shqipërisë, dhe një mundësi për të konsoliduar institucionet e vendit. Në këtë fazë, Bajram Curri shihet si një figurë unifikuese që bashkon krahët e ndryshëm të lëvizjes kombëtare, veri e jug, qytet e malësi dhe me fjalë tjera kontribuon në sigurimin e unitetit kombëtar. Një aspekt i veçantë i veprës është përshkrimi paralel i betejave në jug dhe veri. Ndërsa ushtria e Komitetit të Vlorës përballej me trupat italiane, Bajram Curri dhe bashkëluftëtarët e tij përballeshin me forcat serbe në kufirin verilindor. Ndaj edhe studiuesi Qarri ofron një analizë të thelluar të strategjive, sfidave dhe pasojave të këtyre betejave.

Libri me tutje përshkruan momentin final të jetës së Bajram Currit ku është padyshim më emocionali dhe më domethënësi. Qarri e përshkruan me një ngjyrim tragjik-epik fundin e një burri që nuk u mposht nga armiqtë, por u përball me vdekjen me dinjitet, duke refuzuar të dorëzohej. Vdekja e tij më 29 mars 1925 nuk është trajtuar si një humbje, por si një shpërfaqje e thellë e idealeve për të cilat kishte jetuar. Qarri edhe këtu e paraqet këtë akt si dëshmi të një besnikërie të pakusht ndaj kombit dhe si një akuzë morale ndaj atyre që zgjodhën shërbimin ndaj të huajve mbi interesin kombëtar. Zgjedhja për ta varrosur Bajram Currin në Has, afër kufirit me Kosovën që aq shumë e kishte mbrojtur, është një akt simbolik që autori i këtij libri e trajton me ndjeshmëri të thellë. Ai, e sheh këtë vendvarrim si një dëshmi të dashurisë së Currit për trojet e Kosovës dhe si një mesazh i përjetshëm për bashkimin kombëtar.

Studiuesi Gani Qarri përdor një stil që ndërthur faktin historik me përjetimin emocional. Libri nuk është thjesht kronikë, por një ese, reflektim dhe thirrje morale. Duke përfshirë burime të besueshme, përfshirë punimet e historianëve si Jusuf Bajraktari, Hakif Bajrami, Rexhep Qosja dhe arkivistë të epokës, ai e bën veprën të saktë dhe të respektueshme edhe në qarqet akademike. Qarri nuk ndalet vetëm te rrëfimi i një jete të madhe, ai përçon mesazhin se kauza për të cilën Bajram Curri dha jetën nuk ka përfunduar. Ai ngre zërin për të kujtuar se liria, dinjiteti dhe bashkimi janë ende sfida të pashuara të kombit shqiptar.

Në fund të këtij libri me titull “BAJRAM CURRI, TRIBUN I KOMBIT-(Bajram Curri me bashkëluftëtarët e tij)  e them se ky libër është një vepër që shërben si kujtesë, si udhëzues dhe si testament i një epoke të lavdishme, por edhe të dhimbshme. Qarri ka bërë një shërbim të madh kulturor e kombëtar duke i dhënë brezave të sotëm një dritare të hapur drejt së kaluarës heroike, me një gjuhë të pastër, të ndjerë dhe të argumentuar.

Kjo vepër duhet të përfshihet në bibliografinë e detyrueshme të çdo institucioni edukativo arsimor që synon formimin patriotik dhe historik të rinisë shqiptare. Në të njëjtën kohë, ajo meriton të promovohen edhe në sferat akademike si një shembull i mirëfilltë i bashkimit mes historiografisë dhe letërsisë dokumentare.