Ballina Kronika Qëlluan me armë drejt banesës së 42-vjeçarit në Pogradec, arrestohen dy 16-vjeçarët!...

Qëlluan me armë drejt banesës së 42-vjeçarit në Pogradec, arrestohen dy 16-vjeçarët! Kallashnikovin e kishin fshehur në varreza

33
0

Policia e Pogradecit ka vënë në pranga dy të mitur, të dy 16 vjeç, të dyshuar se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së një 42-vjeçari, ngjarje e ndodhur në muajin maj të këtij viti.

Në kuadër të hetimeve të vazhdueshme për zbardhjen e ngjarjeve të ndodhura më parë, si dhe falë bashkëpunimit me qytetarët, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec siguruan informacione për dy të rinj që mbanin armë zjarri dhe dyshohej se ishin autorë të të shtënave.

Pas një operacioni policor, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve, në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme, arrestuan shtetasit M. K. dhe J. H., të dy banues në Pogradec.

Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej të miturve, në lagjen nr. 1, policia gjeti dhe sekuestroi një dorezë metalike (përforcues grushti), një sasi municioni luftarak dhe një gëzhojë arme zjarri model 56.

Hetimet zbuluan se të miturit posedonin një armë zjarri automatik të tipit kallashnikov, të cilën e kishin fshehur në një varr, në varrezat e qytetit. Arma u gjet dhe u sekuestrua nga policia.

Nga hetimet rezulton gjithashtu se këta shtetas janë autorë të ngjarjes së datës 11 maj 2025, kur është qëlluar me armë zjarri në drejtim të banesës së një 42-vjeçari në lagjen nr. 1 të qytetit.

Njëri prej të arrestuarve është proceduar penalisht më parë për plagosje me thikë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Dhunimi i varreve”, të kryera në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.