Ballina Kulturë Biblioteka e re “hënore” në kryeqytet, si një oaz qetësie e kulture

Biblioteka e re “hënore” në kryeqytet, si një oaz qetësie e kulture

31
0

Biblioteka “Tirana Moons”, një hapësirë e re e krijuar në kryeqytet, ka marrë vëmendjen e qytetarëve dhe kryesisht të të rinjve, që në ditët e para të çeljes së saj.

Ky instalacion i ri, jo i përhershëm, u krijua me forma modulare, njësi të parafabrikuara, që montohen në vend. Format e tyre dhe ndriçimi që i shoqëron, të shëmbëllejnë me Hënën.

Hapësira krejtësisht e veçantë, u mbush me libra të dhuruar për qytetin, nga Libraria “Dukagjini” e Kosovës. Gjithashtu, një pjesë librash dhuruan edhe arkitektët të cilët kanë marrë pjesë në projektet e zhvilluara në kryeqytet.

Kjo hapësirë që bashkon arkitekturën me artin dhe kulturën është vepër e arkitektit Chris Precht. Librat e ekspozuar, mund të lexohen vetëm brenda “Tirana Moons”. Interes gjatë këtyre ditëve kanë pasur kryesisht moshat studentore si dhe të moshuarit.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e cilësoi “Tirana Moons” si një oaz, ku libri, arti, arkitektura dhe natyra ndërthuren bukur, duke sjellë frymëzim e qetësi në zemër të qytetit.

E vendosur në sheshin “Nënë Tereza”, kjo yjësi unazash prej druri duket sikur rrëmben hapësirë prej makinave dhe ua kthen atë atyre që ecin, lexojnë dhe ëndërrojnë.