Ballina Kulturë Zogjtë e poetit dhe malli i vendlindjes

Zogjtë e poetit dhe malli i vendlindjes

75
0

Nga Lulzim Logu 

Poeti Sami Mulaj ka vite që jeton larg Tropojës, vendlindjes së tij, vite të mbushura me mundime jete, shkulme gëzimi dhe shprese, trishtimi dhe dhimbje, por edhe me krenari që ka ditur dhe mundur ta ndërtojë atë në Amerikë në mënyrë dinjitoze, duke respektuar traditën dhe identitetin prej shqiptari të vertetë, pavarësisht kushteve të tjera nga vendi ku u lind dhe u rrit.

Letërsia në përgjithësi, por poezia në veçanti padyshim kanë qënë oazi më i madh i shpresës dhe mënyra më e mirë e përballimit të largësisë dhe mungesës së atdheut si dhe mjeti për të plotësuar boshllëqet shpirtërore dhe mallin e pafund për Shqipërinë dhe Tropojën.

E viziton atë çdo vit, shpesh edhe nga dy tre here dhe kthehet në kontinent ngarkuar me motive dhe ritme të shumta, të cilat më pas i kthen në studion e tij të punës në libra, që tashmë i kanë dhënë emrin dhe njohjen e duhur në mesin e krijuesve tropojanë dhe jo vetëm.

Ky libër i ri, me një titull sinjifikativ ‘’Vetëm zogjtë dëgjoj’’ ka brumë vendlindjeje, ka frymë alpesh, rrjedhë lumenjsh, cicërima zogjsh të etur, fluturime shqipesh ndër maja dhe vrapimin e çmendur të dhive të egra në shkrepa…

Por ajo çka e dallon shpesh nga poetët romantikë të vendlindjes është një qasje e hollë, shpesh ironike ndaj trendit social të zhvillimit në Shqipëri, sidomos në raportet tejet të çuditshme dhe delikate mes politikës dhe shtresave të vuajtura të komuniteteve të varfëra, duke potencuar nevojën e afrimit të saj ndaj halleve dhe identifikimit të rrugëve për të shkuar sa më pranë njeriut të zakonshëm të ditës:

Të vuajturit

i qaj jetën

Jo vdekjen

Të vuajturit,

mos i prishni varrimin

duke e qarë

Vetëm këtë ditë

ka gëzim

vdekja i solli shpëtim…

Brigadierë dhe bajraktarë, presidentë dhe sekretarë, deputetë dhe ministra të vendosur poetikisht përballë themeluesve dhe çlirimtarëve, punëtorëve të minierave dhe fshesarëve, por dhe bujqve dhe barinjve, disa me kollare dhe kostume të shtrenjta, të tjerë me rroba pune dhe djersën që ju bie ballit apo plagëve të pashëruara të luftës, ky është sfondi i dhimbjes sociale të poetit.

Ky sfond,sa intim dhe delikat po aq dhe i drejtëpërdrejtë, therës dhe polemizues, e bën poezinë e tij komplekse dhe shumë të angazhuar me fatin e njeriut në ritmet e shfrenuara të jetës së sotme teknologjike:

Sado e lavdishme

të jetë e djeshmja

me kryet pas nuk ecet

e të vraposh kurrsesi…

Vetëburgosja

me të djeshmen

të mban lidhë

me zinxhirë…

Në hartën e tij të ëndrrave poeti Mulaj shfaqet përmes pejsazhesh marrëmëndës thurur me figuracion tingëllues dhe joshës, me tematika të shumëllojta ku ai shndrrohet në zëdhënës dhe mbrojtës pa kufi ,së pari të njeriut të thjeshtë dhe atyre hallemëdhenj, shfaqet si dashnor i përjetshëm i natyrës dhe dashurisë dhe mbetet dukshëm pjesë e pandashme e vendlindjes së tij.

Ajo ka emblemën e bukur të emrit dhe frymën e saj në çdo varg dhe në çdo përjetim:

Te gurrat n’rudina

i kam stërpikë me ujë bore

e buzët e tyne all

kuq e kuq si mollë

i kam puthë

në ato gurra buzët

e sytë e tyne i kam vizatuar

më e mira pikturë

aty më ka mbetë…

Ai ka qënë dhe mbetet vazhdimisht i angazhuar në rrethet atdhetare të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe një zë i nderuar dhe i dashur i tyre, që jeton e frymon me shqetësim për fatet e atdheut tonë e të trojeve shqiptare. Kësisoj dhe poezia e tij mban aromën e natyrshme të vendlindjes, pritet ngrohtë nga lexuesit dhe konsiderohet një zë i ëmbël, por dhe fort kumbues me rezonancë të pasur dhe hapësirë gjithnjë në rritje të mesazhit të tij poetik dhe social:

Trupit të Atdheut

shtrirë gjerë e gjatë në dhe’

as pas katërdhjetë ditësh

as pas katërdhjetë vitesh

as pas katërdhjetë shekujsh

nuk i është nda mishi prej eshtnave

aty është

as nuk ka vdekë

e as nuk ka me vdekë…

Ky libër vetëm sa e ka theksuar prirjen dhe shfaqjen e poetit kah besimi dhe brendia e këtij mesazhi organik dhe aktual që e përfshin atë në plejadën e artistëve të fjalës së fortë, të fjalës së ngrohtë, të dhembshur, plot lëng jete, dashuri dhe dritare të pafundme shprese…

Duhet mësue

si me vdekë

na e la amanet poeti

ose edhe atdheun

ta nxjerrim për shitje…