Nga Ylli Manjani
Nuk më shqetëson aspak tema që, pse foli në publik Kryeministri për çështje që ka gjykata të trajtim.
Siç është ndërtuar sistemi i sotëm, ku reforma arriti të çimentojë të zgjedhurit në prokurori e gjykata, Kryeministri nuk ka asgjë në dorë për të bërë kundër gjykatësve.
Sistemi i sotëm postreformë lejon futjen në sistem të turlilloj anonimi, që di të bëjë pikë në KED, dhe për ti hequr nga sistemi nuk i heq dot. Aq më pak këtë e bën Kryeministri.
Proceset e përzgjedhjes së gjykatësve janë të gjitha të mbyllura, të bazuara në pikëzim (që pika t’u bjerë megjithë reformë) dhe pa asnjë debat në asnjë institucion me përbërje politike.
Pa asnjë dyshim, ky proçes rekrutimi e promovimi është regres krahasuar me debatin publik Parlament-President, apo me proceset e intervistimeve publike të kandidatëve për gjykatës të lartë dhe kushtetuese, të cilat ndodhnin para reformës. Por temë tjetër kjo.
Tani, që Kryeministri flet në publik, qoftë si palë ndërgjyqëse apo qoftë si Kryeministër, përveç të mirës që ka se kuptojmë ku është ideja, nuk shoh asgjë të keqe. Edhe kryetari i opozitës flet në publik si palë për hallet e tij dhe mirë bën, pavarësisht se duke sharë “Altin Troplinin”, askush nuk kupton asgjë nga pala folëse…
Pra, e folura në publik e politikanëve si palë, nuk është as ndërhyrje e as intimidim ndaj gjykatave. Përkundrazi, duke rritur kuptueshmërinë publike mbi kërkesën e bërë, shtohet edhe kureshtja mbi sjelljen dhe vendimin e gjykatës. Kureshtja dhe pritshmëria publike nuk është intimidim, por pritshmëri demokratike.
Ndërhyrje apo intimidim quhet kur përgjon gjykatësin; kur bën deklarim publik ai/ajo që ka për detyrë të marrë masa ligjore kundër gjykatësve. Intimidim dhe presion ndaj gjykatës përbën nxjerrja e dosjes hetimore në pazar për gjykim popullor duke vështirësuar punën e gjykatës për të vendosur mbi proçes e prova. Intimidim dhe ndërhyrje është të gërmosh me qëllim në jetën private të gjykatësit dhe të bësh publike gjetje me çerek apo të vërteta të plota, pa bërë denoncim në institucionet vendimmarrëse.
Asnjërën nga këto nuk e ka në dorë qeveria. As shumica parlamentare.
Ndonjëherë ka pak “dorë” opozita me të dhëna dosjesh që ua japin prokurorët për luftë politike dhe, si pjesë e gjyqeve intimiduese popullore.
Insistoj, gjykatat sot e kanë arritur pavarësinë nga pushteti politik, por dukshëm nuk kanë fituar betejën me paanësinë, në sallën e gjyqit.
Ato anojnë dukshëm, afërmendsh, nga SPAK dhe prokuroria. Sot drejtësia matet me çfsrë bën prokurori dhe jo gjykata. Kjo është e papranueshme për një rend demokratik.
Ky është halli dhe, mbi këtë duhet të zhvillohet debati politik e publik, jo ç’thotë Rama e si i përgjigjet Berisha.
Po për këtë shqetësim real të drejtësisë së sotme, askush nuk flet. As Kryeministri, as kryetari i opozitës e as ata që i shajnë e kritikojnë.
Sistemit i duhet gjykata mbi palët ndërgjyqëse.







