Elbasani triumfoi 2-1 me përmbysje ndaj Teutës, në duelin e javës së 32-të në Superiore.
Skuadra durrsake kaloi në avantazh në minutën e 23-të, pas një 11-metërshi të kthyer në gol nga Arifi.
Në startin e pjesës së dytë, Elbasani gjeti barazimin, me një tjetër penallti, të shënuar nga Diallo.
Ky i fundit kishte mundësinë për të përmbysur rezultatin, por gaboi nga penalltia në dy raste në fund. Selmani ndali tentativën e parë, por penalltia u përsërit pasi Zhongo kishte hyrë në zonë.
Portieri i Teutës bëri heroin, duke ndalur sërish penalltinëm të gjuajtur nga Diallo. Megjithatë, Teuta nuk ia doli të ruajë dot barazimin. Në minutat shtesë, Elbasani gjeti golin e përmbysjes me Gomes.
Me këtë fitore, Elbasani mban vendin e dytë me 59 pikë, 1 më pak se Vllaznia kryesuese. Teuta mban vendin e gjastë me 38 pikë.
Nuk prodhoi fitues ndeshja tjetër mes Dinamos dhe Tiranës, që u mbyll në barazim 1-1. Një derbi i luftuar deri në fund, por që nuk prodhoi fitues.
Tirana kaloi në avantazh me Myslovic në minutën e 54-t, por vetëm 4 minuta më vonë, Dinamo riktheu baraspeshën me Malomon.
Me këtë barazim, Dinamo mban vendin e katërt me 45 pikë, ndërsa Tirana renditet e teta me 32 pikë.







