Ballina Kronika Kontroll në burgun e Shkodrës, gjenden tre iPhone në qeli dhe ambientet...

Kontroll në burgun e Shkodrës, gjenden tre iPhone në qeli dhe ambientet e përbashkëta

84
0

Një kontroll i ushtruar në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Shkodër ka çuar në zbulimin dhe sekuestrimin e tre telefonave celularë të ndaluar brenda ambienteve të burgut.

Sipas njoftimit zyrtar, kontrolli është zhvilluar nga Grupi i Sigurisë, nën drejtimin e Drejtuesit të Institucionit, Shefit të Policisë dhe specialistëve të Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, në kuadër të masave për forcimin e sigurisë dhe parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara.

Gjatë kontrollit fizik ndaj të paraburgosurit me iniciale G.Z., është gjetur dhe sekuestruar një aparat celular “iPhone” bashkë me karikuesin. I paraburgosuri është veçuar menjëherë dhe për rastin është hartuar raport incidenti.

Ndërkohë, gjatë kontrolleve në ambientet e përbashkëta të institucionit janë gjetur edhe dy aparate të tjera celularë të tipit “iPhone”.

Për të gjitha rastet janë përpiluar procesverbalet përkatëse të bllokimit dhe dorëzimit të sendeve të ndaluara, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Agjencisë për vijimin e veprimeve të mëtejshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.