Ballina Kosovë Prokuroria në Hagë: Ambiciet e të akuzuarve tejkalonin qëllimin për çlirimin e...

Prokuroria në Hagë: Ambiciet e të akuzuarve tejkalonin qëllimin për çlirimin e Kosovës

70
0

Zyra e Prokurorit të Specializuar në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në dosjen e saj përfundimtare ka thënë se ata të cilëve iu referohet si anëtarë të Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale, kanë pasur ambicie që tejkalonin qëllimin për çlirimin e Kosovës.

Pra, Prokuroria në dosjen e saj thotë se ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, si dhe anëtarë të tjerë, kishin për qëllim edhe marrjen e pushtetit si dhe shtrirjen e kontrollit në Kosovë përveç qëllimit për çlirim.

Sipas Prokurorisë, katër të akuzuarit së bashku me persona të tjerë, e ndoqën këtë qëllim përmes mjeteve që përfshinin frikësimin e paligjshëm, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe largimin e personave që konsideroheshin kundërshtarë.

Prokuroria thotë se këtë persona që ishin ‘cak’, ishin individë që perceptoheshin që bashkëpunonin ose shoqëroheshin me forcat apo zyrtarët e RFJ-së ose institucionet shtetërore të atëhershme; nuk mbështesnin qëllimet ose mjetet e UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, përfshirë personat e lidhur me LDK-në dhe personat me përkatësi serbe, rome dhe etni të tjera. Pra, me një fjalë, sipas tyre, ata që konsideroheshin si kundërshtarë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas tyre, gjatë gjithë periudhës së aktakuzës, udhëheqja e UÇK-së dhe më vonë ajo e Qeverisë së Përkohshme, u përpoq që ta paraqiste veten si zëri i vetëm i vërtetë i shqiptarëve dhe kjo përfshinte shtypjen dhe zhvendosjen e udhëheqjes politike të konsoliduar shqiptare të Kosovës, e përbërë kryesisht nga Qeveria në ekzil e udhëhequr nga Ibrahim Rugova dhe Bujar Bukoshi.

Prokuroria thotë se në fillim të viteve 1990, UÇK-ja u krijua si një grup i armatosur nën ombrellën e lëvizjes ilegale- Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK).

Tutje, thuhet se në një takim kyç themelues në Prekaz në vitin 1993, morën pjesë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Sami Lushtaku dhe Sahit Jashari. Ndërsa, anëtarët themelues të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së përfshinin Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Kadri Veselin, Azem Sylën, Sokol Bashotën, Lahi Brahimajn dhe Xheladin Gashin i njohur me nofkën “Plaku”.

Veç kësaj, Prokuroria thotë se për dallim nga strategjia e Rugovës dhe e LDK-së për mosdhunë, UÇK-ja promovoi platformën e LPK-së për luftë të armatosur. Këtë Prokuroria e ka argumentuar duke u mbështetur në një deklaratë politike që sipas tyre thotë ”Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte e pavendosur kur filloi luftën e saj. Kur e nisi këtë luftë, ajo udhëhiqej nga motoja: Ose Kosova bëhet e jona ose do të shndërrohet në hi”.

Ndërsa për komunikatat, Prokuroria thotë se pretendonin sovranitet mbi Kosovën dhe zotoheshin se nuk do të pranonin asnjë marrëveshje që përjashtonte UÇK-në nga negociatat dhe kërcënonin se kushdo që do të hynte në një marrëveshje për diçka më pak se pavarësia e plotë, do të “ndëshkohej për tradhti”.

Prokuroria përmend edhe daljen e parë publike të UÇK-së më 1997, duke thënë se Selimi e shpalli UÇK-në si forcë të vetme serioze për realizimin e idealeve dhe aspiratave të shqiptarëve e më pas edhe komunikata 40, e cila sipas Prokurorisë, e ka përsëritur se Kosova mund të çlirohej vetëm përmes rezistencës së armatosur dhe jo  “përmes telefonit apo nga zyrat” e “lëvizjes pacifiste të dështuar”.

Veç kësaj, Prokuroria thotë se Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) konsideroheshin kërcënim për unitetin e UÇK-së dhe autoritetin e Shtabit të Përgjithshëm. Ndërsa, edhe kur ushtarët e lidhur me LDK-në ose FARK-un që u integruan më vonë në UÇK, sipas Prokurorisë, vazhdonin të akuzoheshin se po përpiqeshin ta shkatërronin UÇK-në nga brenda dhe trajnoheshin me dyshim.

Kurse, për fondet që mblidheshin në mërgim për luftën në Kosovë, Prokuroria përmend një deklaratë të Thaçit ku pretendohet se ka thënë që paratë ishin keqpërdorur nga Bujar Bukoshi dhe se ai i kishte përdorur për të financuar ‘vëllavrasjen’.

Për Jakup Krasniqin, Prokuroria thotë se përforconte pretendimet e Shtabit të Përgjithshëm për autoritet, duke i përdorur intervistat mediatike, duke shtuar se ai deklaronte se: “Për momentin, nuk është Rugova por UÇK-ja ajo që merr vendime për Kosovën”.

Prokuroria gjithashtu përmendi edhe deklarata politike dhe komunikata në të cilat thuhej se UÇK-ja ishte faktori vendimtar për të udhëhequr bisedimet në mes Prishtinës, Bashkësisë Ndërkombëtare dhe Beogradit.

Veç kësaj, Prokuroria në dosjen e saj thotë se edhe dëshmitari i mbrojtjes, Christopher Hill, pranoi se sipas kuptimit të tij, UÇK-ja synonte ta zëvendësonte Ibrahim Rugovën dhe LDK-në, dhe në këtë mënyrë, ta siguronte veten si zërin e një Kosove të pavarur.

ZPS: Pas sulmit tek Jasharët, u morën hapa konkret për kontroll në Kosovë, u forcua ndikimi i Thaçit

Prokuroria thotë se gjatë gjithë periudhës së aktakuzës, anëtarët e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK) jo vetëm që pretenduan autoritet politik dhe ushtarak, por ndërmorën edhe hapa konkret për të vendosur dhe forcuar kontrollin e tyre në Kosovë.

Pas sulmit ndaj familjes Jashari në mars 1998, Prokuroria thotë se Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli sollën në Kosovë një grup kryesisht të përbërë nga anëtarë të LPK-së.

Veç kësaj, thuhet se pas mbërritjes në Drenicë, drejtues të UÇK-së diskutuan organizimin e saj dhe i shpërndanë anëtarët në komuna të ndryshme për të zhvilluar rekrutime dhe organizim ushtarak. Fatmir Limaj u angazhua në Malishevë dhe Kleçkë, Shukri Buja në Lipjan dhe Shtime, Ismet Jashari në Suharekë, Agim Bajrami në Kaçanik, ndërsa Sami Lushtaku dhe Sahit Jashari mbetën në Drenicë në pozita drejtuese.

Sipas Prokurorisë, kjo shpërndarje e figurave të rëndësishme të LPK-së forcoi ndikimin e Thaçit dhe të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Aty thuhet se njëkohësisht me forcimin e strukturave të saj politike dhe ushtarake, UÇK-ja filloi të rregullonte edhe çështjet civile në territoret që kontrollonte. Shtabi i Përgjithshëm nxori vendime për vendosjen e taksave ndaj automjeteve të regjistruara nga autoritetet serbe dhe ndaj pjesëtarëve të diasporës, duke paraparë masa ndëshkuese, përfshirë konfiskimin e pasaportave, për ata që nuk i respektonin këto detyrime.

Veç kësaj, theksohet se zbatimi i këtyre vendimeve iu besua Policisë Ushtarake të UÇK-së. Dhe se në raportet e saj, Brigada 121 identifikonte edhe veprimtarinë e LDK-së si pengesë për ushtrimin e autoritetit në disa zona.

Prokuroria pretendon se në fund të marsit 1999, gjatë kontakteve me përfaqësues të qeverisë Bukoshi, Gani Krasniqi paraqiti kushtet për bashkëpunim: njohjen e programit të UÇK-së, njohjen e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës (QPK) dhe nënshtrimin e saj ndaj Shtabit të Përgjithshëm, respektimin e rregulloreve të UÇK-së, hyrjen në Kosovë dhe dorëzimin e selisë në Tiranë, Ministrisë së Mbrojtjes së QPK-së.

Në të njëjtën periudhë, Shtabi i Përgjithshëm deklaronte se institucionet e vetme legjitime në Kosovë ishin QPK-ja me Hashim Thaçin si kryeministër, dhe UÇK-ja, e udhëhequr nga Shtabi i Përgjithshëm. Ndërkohë, udhëheqës të tjerë politikë, përfshirë Bujar Bukoshin, paraqiteshin si kundërshtarë të këtyre strukturave.

Tutje, thuhet se një plan i sekuestruar nga Gani Krasniqi tregon se po bëheshin përgatitje të detajuara për transformimin e UÇK-së në struktura shtetërore, duke përfshirë gardën kombëtare, policinë civile dhe administratën shtetërore.

Prokuroria thekson se pas Marrëveshjes së Kumanovës dhe tërheqjes së forcave serbe në qershor 1999, UÇK-ja dhe QPK-ja vepruan shpejt për të vendosur kontrollin e tyre institucional në terren. Njësitë e UÇK-së u shpërndanë në të gjithë Kosovën dhe morën nën kontroll ndërtesa komunale, stacione policore, gjykata, shkolla dhe ndërmarrje publike.

Gjithashtu, thuhet se duke e konsideruar veten si forcën fituese të luftës, udhëheqja e UÇK-së/QPK-së shfaqi shqetësime lidhur me ndikimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Theksohet se në takimin e parë me UNMIK-un, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi paraqitën strukturën organizative të QPK-së, e cila përbëhej kryesisht nga përfaqësues të UÇK-së.

Tutje, theksohet se kur iu bë e qartë se UNMIK-u kishte autoritetin ekzekutiv sipas Rezolutës 1244, Thaçi theksoi se QPK-ja ishte krijuar nga vetë ata dhe se e konsideronin veten përgjegjës për drejtimin e vendit.

Ndërsa, për Rexhep Selimin thuhet se deklaroi publikisht që Policia Ushtarake e UÇK-së përbënte bazën e policisë së ardhshme të Kosovës.

Në dosjen e saj përfundimtare, Prokuroria thotë se ndalimet e kundërshtarëve gjatë verës së vitit 1999 paraqisnin vazhdimësi të politikës së mëhershme ndaj kundërshtarëve politikë, ndërsa arrestimet dhe ndalimet e kryera nga Policia e UÇK-së/QPK-së konsideroheshin pjesë e pretendimit më të gjerë për ushtrimin e autoritetit shtetëror.

Ndryshe, fjala përmbyllëse e Prokurorisë filloi të hënën e 9 shkurtit 2026, dhe përfundoi një ditë më pas, më 10 shkurt, ku kryeprokurorja e specializuar, Kimberly West, kërkoi dënim unik me nga 45 vjet burgim për secilin nga katër të akuzuarit. Po më 10 shkurt u dha fjala përfundimtare edhe nga mbrojtësi i viktimave, Simon Laws.

Ndërsa, më 11 shkurt 2026, dha fjalën përfundimtare mbrojtja e Hashim Thaçit dhe e filloi mbrojtja e Veselit, e vazhdoi edhe më 12 shkurt. Po atë ditë e nisi fjalën përfundimtare mbrojtja e Selimit dhe e përfundoi me 13 shkurt, datë në të cilën më pas i nisi deklarimet mbrojtja e Krasniqit. Kjo e fundit përfundoi deklaratat përmbyllëse më 16 shkurt, seancë e cila vazhdoi me pyetjet e trupit gjykues dhe përgjigjet e mbrojtjes dhe Prokurorisë.

Ndërsa, me 18 shkurt dhanë fjalën e tyre të akuzuarit. Hashim Thaci tha se i vetmi pushtet që kishte ishte ai i zërit të tij dhe se UÇK-ja nuk ishte shteti, ishte organizim popullor për mbrojtje nga agresori. Kurse, Kadri Veseli tha se nuk ka asnjë provë që tregon se ai ka kryer krim dhe se e ka ndërgjegjen e pastër.

Gjatë fjalës së tij, Rexhep Selimi tha se akuzat ndaj tyre janë tërësisht të pabazuara dhe të padrejta si dhe janë përpjekje për të njollosur luftën e tyre. Përveç kësaj, ai tha se shpreson që drejtësia do i kthej në atdhe.

Kurse, Jakup Krasniqi u shpreh se i është mohuar e drejta për liri si një njëri në fazën e fundit të jetës. Ai shtoi se ka kaluar rreth 16 vjet burg vetëm se luftoi për popullin e tij. Veç kësaj, Krasniqi tha se “nëse dashuria për liri gjykohet si krim, atëherë vetë historia do të dënohet”.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.