Ballina Sport Starton nesër Botërori më i madh i historisë

Starton nesër Botërori më i madh i historisë

82
0

Bota e futbollit po përgatitet për ngjarjen më të madhe sportive në planet: Kupa e Botës 2026, e cila për herë të parë në histori do të zhvillohet në tre vende njëkohësisht: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksika dhe Kanada.

Meksika, që ka pritur më parë Kupën e Botës në vitet 1970 dhe 1986, do të jetë vendi ku do të mbahet ceremonia inauguruese e këtij eventi më 11 qershor në Mexico City, në stadiumin “Azteca”, me ndeshjen Meksikë–Afrika e Jugut në orën 21:00.

Shfaqja do të fillojë 90 minuta më përpara. Kjo sfidë shihet si një rikthim simbolik, duke kujtuar edhe hapjen e Botërorit 2010 në Afrikën e Jugut.

Kanadaja do të jetë për herë të parë vend mikpritës i Kupës së Botës dhe do të hapë pjesën e saj të turneut më 12 qershor në Toronto, me ndeshjen Kanada–Bosnje dhe Hercegovinë.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara, që kanë organizuar Botërorin në vitin 1994, do të zhvillojnë ceremoninë e tyre më 13 qershor në Los Angeles, me ndeshjen SHBA–Paraguaj.

Ky edicion historik do të ketë një rekord prej 104 ndeshjesh, të shpërndara në 16 qytete pritëse, dhe do të zgjasë nga 11 qershori deri më 19 korrik, kur do të luhet finalja e madhe në New York.

Ceremonitë hapëse do të jenë të lidhura nga një temë e përbashkët: fuqia e futbollit për të bashkuar njerëzit përtej kufijve.

Spektakli artistik pritet të sjellë yje ndërkombëtarë si Shakira, Burna Boy, Katy Perry, Blackpink, Rema, Anitta dhe shumë të tjerë, duke e kthyer Botërorin 2026 në një festë globale të sportit, muzikës dhe kulturës.

Kupa e Botës 2026 premton të jetë një turne pa precedent, ku futbolli bëhet gjuhë universale që bashkon botën.