Nga Ermal Peçi
“Koha është gjykatësi më i drejtë, sepse nuk gjykon me emocione, por me pasoja”
Kjo është ndoshta fjalia që përmbledh më mirë, atë që ka ndodhur në Partinë Demokratike gjatë viteve të fundit.
Para disa muajsh shkrova se Sali Berisha e di mjaft mirë që Lulzim Basha, nuk pret në besë askënd. Këtë e pranojnë edhe njerëz të afërt me të, larg kamerave dhe retorikës publike. Por Berisha nuk mund të ekzistojë politikisht pa ndërtuar një armik.
Kjo ka qenë filozofia e tij politike ndër vite: dështimet nuk burojnë nga vetja, por gjithmonë nga tradhtia e dikujt tjetër. Siç shkruante filozofi francez Rene Girard, shoqëritë shpesh krijojnë një “kokë turku” mbi të cilin projektojnë të gjitha fajet e tyre. Në politikën shqiptare, për Berishën, ky rol iu rezervua Lulzim Bashës.
Lulzim Basha njihet për natyrën e tij qytetare. Në një ambient toksik si politika dhe media shqiptare, qytetaria shpesh perceptohet si dobësi. Kështu bëhet e lehtë të shpifësh, të sulmosh, të etiketosh apo të tallesh. Kjo u ushqye edhe nga makineria propagandistike e Edi Ramës, e cila ndërtoi me këmbëngulje figurën e një njeriu që “nuk bënte asgjë” dhe ishte “gjumash”. Në fund, propaganda e kundërshtarit dhe propaganda e një pjese të opozitës u bashkuan mbi të njëjtin objektiv.
Ditën e djeshme, në intervistën me kolegun Andrea Danglli, Sali Berisha, iu rikthye sërish akuzave ndaj Bashës. Por në vend të politikës, publiku dëgjoi thashetheme. Në vend të alternativës, dëgjoi histori për “thikë pas shpine”, për non grata dhe për ligësinë e Bashës.
Megjithatë, pyetjet e vërteta mbetën pa përgjigje.
Si ka mundësi që ai që e paraqet Edi Ramën si kundërshtarin më të madh politik rezulton sot me rreth 300 mijë vota më pak se Lulzim Basha në zgjedhjet e vitit 2021?!
Si ka mundësi që Partia Demokratike vazhdon të mbetet në të njëjtën krizë, pa asnjë reflektim? Cilat janë qëndrimet e tij ndaj SPAK-ut dhe Klodian Brahos?
Si ka mundësi që ish-deputet edhe funksionar të tij çdo ditë po i bashkohen Edi Ramës?
Si ka mundësi që nuk po e rrëzon dot Edi Ramën?
Si ka mundesi që nuk po e bashkon dot të djathtën?
E mbi të gjitha si shpjegohet që, edhe pasi pretendon se iu hoq non grata nga SHBA-ja, në zyrën e tij nuk shkon asnjë ambasador i vendeve aleate të Shqipërisë?
Këto nuk janë pyetje personale, por pyetje politike. Në demokraci, përgjigjja ndaj pyetjeve politike nuk mund të zëvendësohet me sulme personale apo me rrëfime për tradhti. Qytetarët dhe demokratët presin reflektim, përgjegjësi dhe vizion, jo rikthimin e vazhdueshëm te konfliktet e së shkuarës.
Berisha ngriti një strukturë të tërë politike dhe mediatike, për ta paraqitur Bashën si bashkëpunëtor të Ramës. Nuk munguan as pazarxhinjtë politikë të Ilir Metës, të cilët, në çdo studio televizive, përsërisnin të njëjtën akuzë: “Basha është i shitur.”
Por koha është gjithmonë më e fortë se propaganda.
Një nga një, shumë prej atyre që akuzonin Bashën për bashkëpunim me Ramën përfunduan vetë pranë pushtetit. Madje, ish-deputeti Ferdinand Xhaferraj deklaroi publikisht se vulën e Partisë Demokratike Berishës ia dha vetë Edi Rama.
Sikur të mos mjaftonte kjo, sot flitet hapur se Partia Demokratike është kthyer në një arenë ku ndikojnë interesa të lidhura me pushtetin, me leje ndërtimi, tendera dhe klientelizëm. Pra Edi Rama ka blerë me klering Sali Berishën dhe njerëzit pranë tij. Emra si Erion Veliaj apo Belinda Balluku përmenden gjithnjë e më shpesh, si pjesë e analizave mbi ndikimet informale brenda opozitës. Kjo është një nga tragjeditë më të mëdha politike të tranzicionit shqiptar: Një opozitë që nuk lufton më kundër pushtetit, por konsumon betejat e pushtetit brenda vetes.
Siç shkruante Hannah Arendt, “Gënjeshtra politike nuk synon vetëm të mashtrojë, por të krijojë një realitet ku askush nuk di më çfarë është e vërteta”.
Pikërisht këtë prodhoi fushata shumëvjeçare kundër Bashës: Një diskurs ku etiketa zëvendësoi argumentin dhe shpifja zëvendësoi debatin. Një fushatë e cila u iniciu nga Edi Rama dhe u ndihmua nga Meta e Berisha, për të krijuar një diskurs të lig ndaj figurës së Bashës.
Sot, pas gjithë kësaj historie, mbetet një detyrim moral. Për gjendjen ku ndodhet Partia Demokratike, Sali Berisha u detyrohet demokratëve një reflektim dhe një kërkim faljeje. Po aq, ata që për vite të tëra e etiketuan Lulzim Bashën si “të shitur”, pa sjellë asnjë provë, i detyrohen atij një ndjesë publike.
Sepse, në fund, siç thoshte Sokrati: “Gënjeshtra mund të fitojë duartrokitje për një çast, por vetëm e vërteta i mbijeton kohës”.
E kjo e vërtetë do të sjelli e lajme të tjera të mira e cila do trondisi klasën politike tradicionale edhe do i japi gjithësecilit atë që meriton.







