Ballina Bota Dhjetëra mijëra njerëz protestojnë kundër regjimit të Narendra Modit në Delhi të...

Dhjetëra mijëra njerëz protestojnë kundër regjimit të Narendra Modit në Delhi të Indisë

37
0

Mijëra mbështetës të opozitës janë mbledhur në Delhi, ndërsa protestat kundër qeverisë së Narendra Modit po marrin gjithnjë e më shumë hov.

Të udhëhequr nga Partia e Kongresit, aleanca opozitare e Indisë ka mbledhur përkrahës nga e gjithë vendi, mes një zemërimi në rritje lidhur me një rishikim në shkallë të gjerë të regjistrit zgjedhor, gjatë të cilit janë fshirë 130 milionë emra, shkruajnë mediat e huaja.

Udhëheqësit e opozitës pretendojnë se ky proces i jep partisë në pushtet të Modit, Bharatiya Janata (BJP), një avantazh zgjedhor, dhe kanë kërkuar dorëheqjen e kryekomisionerit zgjedhor, Gyanesh Kumar, si dhe nisjen e procedurave për shkarkimin e tij.

BJP i ka hedhur poshtë këto pretendime.

Duke iu drejtuar dhjetëra mijëra anëtarëve dhe mbështetësve të partisë, lideri i opozitës Rahul Gandhi deklaroi se Kumar ka “kryer krimin më të madh. Ai është përpjekur të heshtë zërin e popullit, të mbytë vendin tonë”.

Gandhi theksoi se opozita, e bashkuar nën akronimin INDIA (Aleanca Gjithëpërfshirëse për Zhvillimin Kombëtar të Indisë), nuk do të lejojë që “demokracia të marrë fund në vend” dhe paralajmëroi Modin: “Nuk ke ku të shkosh”.

Kjo protestë ishte një nga shfaqjet më të mëdha të forcës së opozitës në vitet e fundit, duke ndodhur në një kohë kur po rishfaqet pakënaqësia kundër qeverisë – një pakënaqësi që, gjatë 12 viteve të regjimit të Modit, ishte shtypur në mënyrë sistematike.

Sfida më e madhe ndaj regjimit ka ardhur nga protestat e udhëhequra nga të rinjtë, të cilat shpërthyen gjatë verës.

Këto protesta u organizuan nga një lëvizje që, në mënyrë satirike, e quajti veten “Buburrecat” (Cockroaches) dhe arriti të detyronte dorëheqjen e njërit prej ministrave të kabinetit të Modit.

Lëvizja e “Buburrecave” doli sërish në rrugë muajin e kaluar, duke kundërshtuar gjithashtu rishikimin e regjistrave zgjedhorë, proces i njohur si “Rishikim Special Intensiv” (SIR).

Opozita, e në veçanti Partia e Kongresit, ka marrë më shumë guxim pas mobilizimit të të rinjve.

Megjithatë, vazhdon të ketë një mungesë të theksuar besimi midis partive tradicionale opozitare dhe lëvizjes së “Buburrecave”.

Të dielën, ndonëse drejtuesit e kësaj lëvizjeje shprehën mbështetjen e tyre për tubimin e opozitës, ata nuk morën pjesë personalisht.