Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka denoncuar një rast dhune ndaj një të riu gjatë protestës në Tiranë.
“I riu është rrahur, është kërcënuar dhe më pas e kanë marrë në telefon për t’i premtuar favore. Dhuna është barbare”, deklaroi Shehaj.
Vetë Enea, i cili u shfaq para kamerave me syrin e nxirë, tregoi se ngjarja ka ndodhur pasi kishte marrë pjesë në protestë. Sipas dëshmisë së tij, teksa po largohej për në shtëpi, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, është ndaluar nga një automjet dhe më pas është shoqëruar në Komisariatin nr. 1.
Ai tha se fillimisht është dërguar në ambientet e paraburgimit, por më pas është thirrur në një zyrë, ku, sipas tij, është dhunuar nga dy punonjës policie, të cilët i identifikoi si Roki Pepa dhe Ervin Hasrama.
Enea rrëfeu gjithashtu se është kërcënuar me fjalët: “Mos harro se e ke personale dhe këto pllaka kishe për t’i larë me gjak”.
I riu u shpreh se pas dhunës është kontaktuar nga një person tjetër, i cili i ka premtuar se do t’i zgjidhte disa probleme shëndetësore që kishte pasur më herët me vëllain e tij të vogël.
“Unë nuk e di a është krim të protestosh, por kjo është një gjë që do t’i shkoj deri në fund, nuk e fal”, deklaroi Enea. Ai tha se do ta ndjekë çështjen deri në fund, ndërsa akuzat e ngritura prej tij pritet të marrin përgjigje nga autoritetet përkatëse.
“Isha duke protestuar të Bulevardi, në momentin kur ishim duke ikur nëpër shtëpi, në bulevardin Dëshmorët e Kombit, vjen një makinë isha me një shko, më fusnin brenda dhe na shoqërojnë te komisariati 1. Në fillim më çojnë në paraburgim, vjen njëri më thotë të kërkon shefi sipër. Ishte Roki Pepa, nisi me fjalë banale, bashkë me Ervin Hasramën që më kanë goditur pa pushim. SI për kërcënime, Roki Pepa më tha mos harro se e ke personale dhe këto pllaka kishe për t’i larë me gjak. Nuk e di a është krim të protestosh, por kjo është një gjë që do i shkoj deri në fund, nuk e fal. Në protestë as vetë nuk e kuptova…përse proteston…Më çuan tek zyra e tyre dhe më kanë godit. Ishte vetë Roki Pepa dhe vetë Ervin Hasrama. Pas kësaj dhunë sjell një djalë i thotë të ma kalojë në telefon, kam pasur disa probleme më parë në anën e shëndetësisë me vëllain e vogël dhe tha do t’i rregullojmë. Ne të presim të dhunohemi…”, ka treguar ai.







