Ballina Opinion Si SPAK zbuloi fytyrën e vërtetë të pushtetit Rama, me sekuestrimin e...

Si SPAK zbuloi fytyrën e vërtetë të pushtetit Rama, me sekuestrimin e 40 milionë eurove pasuri të bandës së AKSHI-t

98
0

Nga Rigels Selmani

Skandali që shpërtheu rreth ish-drejtoreshës së AKSHI nuk është më thjesht një aferë korrupsioni, por një alarm i fortë për kapjen e shtetit. Kur SPAK zbulon pasuri marramendëse me vila, jahte dhe miliona euro llogari bankare e shishe verash, rrëzohet çdo propagandë për “ndershmëri” dhe “thjeshtësi”.

Këtë të martë Prokuroria e Posaçme (SPAK) njoftoi se ka sekuestruar të paktën 52 prona, llogarive bankare dhe pasurive të tjera me vlerë të përbashkët 40 milionë euro, që i përkasin gjashtë personave nën hetim në dosjen e “AKSHI-it”. Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, vetëm biznesmenit me iniciale E.A., i janë sekuestruar 29 prona, mes të cilave apartamente, vila dhe sipërfaqe toke, në zona të njohura në Tiranë dhe Durrës, disa llogari bankare dhe një kompani. Vetëm në Tiranë i janë sekuestruar 7 pasuri të llojit pyll dhe ndërtesave 1 dhe 2 katëshe në to në zonën e Petrelës, një pasuri e llojit truall në Lundër, si dhe 6 apartamente dhe 7 garazhe. Po ashtu atij i janë i sekuestruar gjithashtu edhe disa pasuri në Durrës, mes të cilave sipërfaqe truall, një ndërtesë dhe një apartament. Një tjetër truall dhe ndërtesë në bregdetin e Vlorës, në Gjilekë, një automjet Land Rover Defender 2023 si dhe tre llogari bankare. Agjentët e BKH dhe Policia e shtetit mësynë edhe në pronat e biznesmenit tjetër E.B., të hetuar nga SPAK për lidhje me dosjen e AKSHI-t, ku ka sekuestruar 10 pasuri dhe disa llogari bankare të tij. Mes tyre, truall e ndërtesa në Vlorë, Tiranë, e Golem, biznese, një jaht luksoz, automjete të tjera si dhe të gjitha llogaritë bankare në emër të tij dhe subjekteve. Në mesin e pasurive të sekuestruara janë edhe 5 pasuri të paluajtshme (përfshirë një apartament 73 metër katror), një makinë tip Volkswagen dhe disa llogari bankare të ish-drejtoreshës së Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), M.K. U janë sekuestruar vlera monetare në llogari bankare edhe tre biznesmenëve, thotë SPAK. Hetimet paraprake të SPAK përfshijnë disa vepra penale, si konkurrencë e paligjshme me dhunë, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera publikë, korrupsion pasiv të funksionarëve publikë, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Megjithatë sqarojmë se çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.
Por teksa shohim këtë super aksion të SPAK, pretendimi se ish-drejtoresha e AKSHI-t jetonte me qira dhe pa makinë tashmë tingëllon si një mashtrim i hapur ndaj qytetarëve që luftojnë për mbijetesë. Më e rëndë është se kryeministri Edi Rama jo vetëm që heshti, por doli garant për figura si ajo (ish-drejtoresha e AKSHI-t) që sot dalin të zhytura në luks të pajustifikuar. “Është në një masë sigurie në një shtëpi me qira pasi më parë ishte në shtëpinë e prindërve të komunizmit, që e njoh para 20 vitesh që punon pa orar dhe që ka udhëhequr këtë transformim epokal. Është protagonistja kryesore e digjitalizimit”, ka deklaruar kryeministri Rama në 30 dhjetor të viti 2025 gjatë një konference për mediat. Mirëpo kjo deklaratë e bëra nga Kryeministri Rama nuk është më thjesht përgjegjësi morale, por një njollë e rëndë politike që kërkon llogari. Një qeveri që mbron të dyshuar për korrupsion, rrezikon të perceptohet si pjesë e të njëjtit rrjet interesash. Kur drejtues publikë dyshohen se fshehin pasuri gjigante, lind pyetja: kush e kontrollon realisht shtetin?
Ky realitet ushqen bindjen se korrupsioni nuk është përjashtim, por rregull i sistemit. Shqipëria po rrëshqet drejt një modeli ku pushteti dhe pasuria grumbullohen në duart e një pakice të lidhur me interesa të errëta. Në vend të një shteti ligjor, krijohet përshtypja e një “getoje” ku qytetarët e zakonshëm janë të pambrojtur përballë abuzimit, krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kështu që zoti Kryeministër, tani që SPAK flet për pasuri të fshehura, a ndjeni detyrimin të mbani përgjegjësi? A e dinit Ju që bashkëpunëtorët tuaj po pasuroheshin në mënyrë të dyshimtë, ndërsa publikut i servirej një realitet krejt tjetër? Nëse po, atëherë përgjegjësia është edhe më e rëndë; nëse jo, atëherë lind dyshimi për mungesë kontrolli mbi qeverisjen. Boll më me lojëra fjalësh dhe justifikime që nuk bindin askënd. Ky është momenti për të treguar përgjegjësi politike dhe për t’u përballur me pasojat e këtyre zhvillimeve.