Kutitë e votimit mbyllen brenda një dite, por llogaria e një qeverie me qytetarët mbetet e hapur gjatë gjithë mandatit. Ky është iluzioni më i rrezikshëm i pushtetit sot në Shqipëri, mendimi se fitorja elektorale, kartonët në Kuvend dhe kontrolli i institucioneve përkthehen automatikisht në një çek të bardhë për të vendosur mbi çdo gjë, pa pyetur më askënd.
Në letër, Edi Rama ka mandatin ligjor për të qeverisur. Në rrugë, përballë qytetarëve, ai po përballet me një krizë që nuk e zgjidhin dot numrat parlamentarë, sondazhet, propaganda apo ironia e zakonshme ndaj kundërshtarëve: humbjen e legjitimitetit moral.
Protesta për Zvërnecin, Vjosë-Nartën dhe Sazanin nuk duhet lexuar thjesht si protestë mjedisore. Mjedisi është shkaku i dukshëm. Bregdeti është skena. Projekti është ndezësi. Por zemërimi që ka dalë në shesh është shumë më i thellë: është revoltë politike ndaj mënyrës si Rama e ka konceptuar pushtetin, shtetin dhe raportin me qytetarin.
Kjo nuk është më vetëm pyetja “a duhet ndërtuar apo jo një resort?”. Pyetja është: kush vendos për Shqipërinë? Një qeveri e zgjedhur për të administruar të përbashkëtën, apo një pushtet që sillet sikur vendi është pronë politike e tij? Një shtet që duhet të mbrojë qytetarin, apo një aparat që duket gjithnjë e më i gatshëm të mbrojë vendimet e veta edhe kur qytetari nuk i beson më?
Prandaj kjo protestë është referendum moral ndaj Ramës. Jo referendum ligjor, sepse nuk ka kuti votimi dhe nuk prodhon mandat të ri. Por referendum moral, sepse në shesh po thuhet qartë se një pjesë e qytetarëve nuk e pranon më pretendimin e kryeministrit se vota e fituar i jep të drejtën të vendosë pa kufi, pa dëgjesë reale dhe pa llogaridhënie të sinqertë.
Rama mund të ketë shumicën. Mund të ketë qeverinë, Kuvendin, administratën, mediat e afërta, investitorët dhe aparatin institucional. Por protesta i vendos përballë një pyetjeje që nuk matet me kartonë: a ka më autoritet moral për të vendosur mbi pasuritë publike kur publiku beson se vendimet merren pa të?
Këtu qëndron kriza.
Për vite me radhë, Rama e ka ndërtuar pushtetin mbi idenë se ai sheh më larg se të tjerët. Se ai e kupton më mirë se qytetari çfarë është zhvillimi, çfarë është modernizimi, çfarë është turizmi, çfarë është Evropa, çfarë është e ardhmja. Në këtë model, kundërshtari është gjithmonë i paditur, opozitari është gjithmonë i diskredituar, aktivisti është gjithmonë romantik, qytetari i shqetësuar është gjithmonë i manipuluar.
Por ky model ka arritur në kufirin e vet. Kur një udhëheqës e ndërton marrëdhënien me publikun mbi superioritet, vjen dita kur publiku nuk kundërshton vetëm vendimin.
Kundërshton edhe të drejtën e tij për t’u sjellë si i pazëvendësueshëm.
Zvërneci, në këtë kuptim, nuk është thelbi. Është prova. Është momenti kur një pakënaqësi e grumbulluar prej vitesh ka gjetur një vend, një emër dhe një simbol. Njerëzit nuk po reagojnë vetëm ndaj një projekti. Ata po reagojnë ndaj një stili qeverisjeje ku vendimet e mëdha duken të mbyllura përpara se të hapet debati, ku konsultimi vjen pas vendimmarrjes, ku transparenca shfaqet vetëm kur shpërthen zemërimi, ku pushteti i kërkon shoqërisë jo pjesëmarrje, por miratim.
Kjo është arsyeja pse slogani “Shqipëria nuk është në shitje” ka peshë politike. Ai nuk është thjesht një fjali kundër një investimi të huaj. Është një akuzë ndaj një modeli qeverisjeje ku qytetarët ndihen sikur vendi i tyre po trajtohet si portofol asetesh që menaxhohet nga lart.
Është refuzim i idesë se çdo gjë mund të negociohet në emër të zhvillimit: toka, bregdeti, ligji, procedura, publiku dhe e drejta për të thënë jo.
Në këtë pikë, mjedisi nuk është më vetëm mjedis. Është emri konkret i një problemi politik, mungesa e besimit. Qytetarët nuk dalin në shesh vetëm sepse kanë frikë nga betonizimi. Dalin sepse nuk besojnë më se shteti do t’u tregojë të vërtetën. Nuk besojnë më se institucionet janë arbitra të pavarur. Nuk besojnë më se interesit publik i jepet përparësi ndaj interesit të fuqishëm. Nuk besojnë më se kryeministri e dëgjon kundërshtimin si pjesë të demokracisë dhe jo si pengesë personale ndaj vizionit të tij.
Ky është dëmi më i madh politik që Rama i ka bërë vetes, ka krijuar përshtypjen se vendimet e mëdha janë gjithmonë të tijat, ndërsa qytetarëve u mbetet vetëm roli i spektatorit. Kur projekti del mirë, merita është e kryeministrit. Kur ka kundërshtim, faji është i atyre që nuk kuptojnë. Ky është raport paternalist me shoqërinë, jo marrëdhënie demokratike.
Në një demokraci funksionale, vota është mandat administrimi, jo imunitet moral. Të zgjedhurit nuk marrin pronësinë mbi shtetin; marrin përgjegjësinë për ta qeverisur atë në emër të qytetarëve. Mandati nuk është heshtje e detyruar mes dy palë zgjedhjesh. Nuk është kontratë ku qytetari flet një herë në katër vjet dhe pastaj duhet të pranojë çdo gjë. Mandati është i kushtëzuar nga besimi, transparenca, llogaridhënia dhe kufiri moral i pushtetit.
Pikërisht këtë kufi po vendos protesta.
Kjo është arsyeja pse thirrja “Rama ik” nuk mund të lexohet vetëm si slogan opozitar. Sigurisht, është politike. Sigurisht, opozita mund të përpiqet ta përdorë. Por pushteti gënjen veten nëse mendon se e shpjegon gjithçka me skenar partiak. “Rama ik” në këtë protestë është më shumë se kërkesë për rotacion karrigesh. Është mënyra e sheshit për të thënë se problemi nuk është vetëm një vendim, por ai që e prodhon vazhdimisht këtë mënyrë vendimmarrjeje.
Në kushtet kur kanalet institucionale të llogaridhënies perceptohen si të dobëta, të vonuara ose të varura nga vullneti i ekzekutivit, sheshi bëhet vendi ku qytetari ushtron veton morale.
Kërkesa për dorëheqje nuk është domosdoshmërisht ekstremizëm. Në disa momente, ajo është gjuha e fundit që i mbetet qytetarit kur mendon se pushteti nuk dëgjon më gjuhë tjetër.
Rama mund ta quajë protestën të manipuluar. Mund ta minimizojë numrin e pjesëmarrësve. Mund ta lidhë me opozitën. Mund ta shesë projektin si vizion modernizues. Mund të flasë për investime, turizëm elitar, ekonomi dhe transformim. Por asnjë nga këto nuk e zgjidh plagën politike që është hapur: një pjesë e qytetarëve nuk po proteston vetëm kundër asaj që po ndërtohet, por kundër mënyrës si po qeveriset.
Kjo është më e rrezikshme për një kryeministër se çdo debat teknik. Sepse projektet mund të korrigjohen, lejet mund të rishikohen, procedurat mund të shtyhen. Por kur prishet besimi, kriza nuk mbyllet me një raport, me një konferencë apo me një deklaratë.
Besimi nuk rikthehet duke i thënë qytetarit se nuk kupton. Rikthehet vetëm duke pranuar se pushteti ka kufij.
Dhe Rama, më shumë se çdo gjë tjetër, po sfidohet pikërisht te kufiri.
Ai nuk po përballet thjesht me ambientalistë. Po përballet me një revoltë politike ndaj mënyrës si ka grumbulluar pushtet, si e ka personalizuar shtetin, si e ka shndërruar zhvillimin në akt besimi ndaj tij dhe si e ka trajtuar kundërshtimin si bezdi. Protesta nuk po thotë vetëm “mos prekni Zvërnecin”. Po thotë: mos e prek më vendin pa na pyetur. Mos e përdor më mandatin si pronësi. Mos e quaj më arrogancën vizion.
Ky është referendumi moral ndaj Ramës.
Jo sepse sheshi ka kompetencë ligjore të rrëzojë qeverinë, por sepse sheshi ka të drejtën politike të shpallë mosbesimin e vet. Jo sepse çdo protestues përfaqëson shumicën e vendit, por sepse çdo qeveri serioze duhet të trembet kur qytetarët nisin të besojnë se shteti nuk është më mbrojtës i tyre, por palë kundër tyre. Jo sepse çdo slogan është program qeverisës, por sepse disa slogane arrijnë të shprehin atë që institucionet përpiqen ta fshehin.
Në fund, çështja nuk është më vetëm Sazani, Zvërneci apo Vjosë-Narta. Çështja është Rama dhe modeli i tij i pushtetit. Çështja është nëse një kryeministër që ka fituar zgjedhjet mund të vazhdojë të qeverisë sikur çdo kundërshtim është i pavlefshëm, çdo dyshim është armiqësi dhe çdo pasuri publike është material për projektin e tij të radhës.
Edi Rama mund të vazhdojë të qeverisë me ftohtësinë e numrave në Kuvend. Mund të ketë shumicën, procedurat, investitorët dhe aparatin shtetëror. Por kur një qeverie i mbetet vetëm forma ligjore dhe i humbet fryma e besimit qytetar, ajo pushon së qeni udhëheqje dhe kthehet në administrim force.
Dhe ky është fillimi i fundit për çdo projekt politik: jo dita kur humbet zgjedhjet, por dita kur qytetarët nisin të besojnë se qeveria nuk po mbron më vendin që qeveris, por pushtetin që ka mbi të./VNA







