Gazetari Osman Stafa ka depozituar një kallëzim në Policinë e Elbasanit, pasi u përball me një akt intimidimi menjëherë pas dokumentimit të nxjerrjes së inerteve në lumin Shkumbin. Sipas Stafës, ai ndodhej në zonë për të verifikuar denoncimet e banorëve lidhur me nxjerrjen e inerteve nga shtrati i lumit. Ai filmoi mjete të rënda që po merrnin zhavor në shtratin e lumit Shkumbin.
Gazetari thotë se pas përfundimit të filmimeve, një automjet me targë AB489YZ, e ndoqi përgjatë rrugës, i preu rrugën dhe e detyroi të ndalonte.
“Isha duke filmuar një eskavator, i cili nxirrte inerte nga Lumi Shkumbin. Kam regjistruar 20 sekonda video. Pas këtij momenti marr makinën dhe nisem për në Elbasan. Sapo dal në rrugë, një makinë fuoristradë e zezë, më vihet mbrapa dhunshëm, duke ma bërë me drita që unë të ndaloja. Vijoj rrugën. Makina më del në krahun e majtë timin, duke m’u afruar shumë me makinën time. Pas këtij momenti makina më del përpara duke më prerë rrugën. Me makinën time bëj pas disa metra (indietro) dhe i dal nga krahu i djathtë makinës, e vazhdoj rrugën. Jam ndjekur nga ajo makinë për rreth 1 km.”, deklaroi ai.
Për ngjarjen, Stafa ka depozituar kallëzim në Policinë e Elbasanit, duke kërkuar hetimin e plotë të rastit, identifikimin e personave që ndodheshin në automjet dhe administrimin e të gjitha provave. Ndërkohë, gazetari kërkon gjithashtu që institucionet përgjegjëse të verifikojnë ligjshmërinë e aktivitetit të dokumentuar në lumin Shkumbin.
Stafa shton se këto veprime që i ngjajnë akteve mafioze, nuk e trembin. “Do vijoj me përkushtim detyrën time, punën time dhe nuk i frikësohem askujt. Do të verifikoj çdo denoncim që më vjen nga qytetarët, e do ta publikoj në media. Askush nuk më tremb me këto kërcënime alla mafioze”, përfundoi gazetari Stafa.







