Protesta qytetare para Kryeministrisë ka vijuar edhe në ditën e saj të 49-të, ndërsa pjesëmarrësit kanë përsëritur kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe vijimin e mobilizimit deri në realizimin e objektivave të shpallura nga lëvizja.
Ndërkohë që paraditen e së shtunës, në ambientet e Hotel Tirana, u zhvillua i ashtuquajturi “Kuvendi Kombëtar i Protestës”, pasditen e së njëjtës ditë Grupi Koordinator i protestës reagoi me akuza të forta ndaj organizatorëve të këtij takimi.
Përfaqësues të Grupit Koordinator deklaruan se protesta nuk ka nevojë për përfaqësim në tavolina apo struktura të krijuara jashtë sheshit, duke theksuar se legjitimiteti i saj buron vetëm nga qytetarët që protestojnë çdo ditë para Kryeministrisë.
Sipas tyre, përpjekja për të organizuar një “Kuvend Kombëtar” pas gati 50 ditësh protestë përbën një tentativë përçarjeje, e cila, sipas tyre, i shërben interesave të qeverisë.
Ata u bënë thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve dhe të vazhdojnë t’i bashkohen protestës, duke ruajtur unitetin e lëvizjes.
Edhe disa prej protestuesve që morën fjalën gjatë tubimit para Kryeministrisë shprehën kundërshtimin e tyre ndaj Kuvendit Kombëtar të Protestës, duke deklaruar se ai nuk i përfaqëson dhe se askush nuk ka mandat të flasë në emër të qytetarëve që kanë protestuar për 49 ditë radhazi.
Gjatë tubimit u përsërit edhe thirrja për mobilizim maksimal në protestën e 23 korrikut, e cila pritet të zhvillohet paralelisht me seancën e fundit parlamentare të kësaj legjislature. Organizatorët e protestës e konsiderojnë këtë datë si një moment të rëndësishëm për të rritur presionin qytetar ndaj qeverisë dhe institucioneve.







