Një situatë e pabesueshme ka ndodhur sot gjatë ndeshjes mes Vllaznisë dhe Partizanit, në pjesën e parë të saj.
Në minutën e 35-të, ultrasit e Vllaznisë, shpalosën një banderolë në tribunën e tyre dhe gjyqtari Florian Lata menjëherë sinjalizoi ndalimin e ndeshjes, duke kërkuar heqjen e saj që të rifillonte takimin.
Situatë ishte me të vërtetë e çuditshme dhe acaroi shumë tifozët e klubit shkodran, të cilët gjithsesi pranuan. Gjithçka ishte shumë absurde, pasi parulla në fjalë, ishte e shkruar në frëngjisht dhe nuk kishte asnjë lidhja me futbollin shqiptar dhe as përmbante fraza ofensive.
Aty shkruhej në frëngjisht “Soutien aux bordelais”, që do të thotë “Mbështetje ndaj bordelezëve” dhe i referohet tifozëve të Bordosë, një klubi me shumë emër e histori në Francë.
Ultrasit e Vllaznisë kanë ndjekur shembullin e shumë tifozerive në botë që kanë hapur parulla të tilla, në mbështetje të tifozëve të këtij klubi të njohur, pasi ky i fundit për shkak të problemeve financiare ka falimentuar dhe do ta nisë përsëri nga e para në futbollin amator.
SI pasojë e vendimit të Latës për të hequr parullën e solidaritet, në stadium nisën në kor sharjet kundër FSHF-së dhe presidentit Duka.







