Ballina Kulturë 10 libra klasikë që janë shoqëria perfekte për netët e vjeshtës

10 libra klasikë që janë shoqëria perfekte për netët e vjeshtës

42
0

Kur temperaturat bien, gjethet ndryshojnë ngjyrë dhe mbrëmjet bëhen më të gjata, nuk ka shumë gjëra më të bukura se një batanije, një pije e ngrohtë dhe një libër i bukur. Vjeshta është gjithashtu koha ideale për histori misterioze, gotike dhe paksa të frikshme. Ja 10 klasikë që i përshtaten në mënyrë perfekte kësaj stine.

1. Drakula – Bram Stoker

ImageRomani i vitit 1897 që i dha formë mitit modern të vampirit. Historia e Jonathan Harkerit dhe Kontit Drakula ndërthur frikën, misterin dhe atmosferën gotike, duke mbetur një zgjedhje perfekte për netët e Halloween-it.

2. Xhejn Er- Charlotte Brontë

ImageNjë histori dashurie, sekretesh dhe sfidash shoqërore. Xhejn Eri, një jetime që bëhet guvernante në Thornfield Hall, përballet me misterin e zotit Roçester dhe me sekretet e errëta të shtëpisë. Peizazhet e zymta dhe atmosfera gotike e bëjnë romanin veçanërisht të përshtatshëm për vjeshtën.

3. Rebeka – Daphne du Maurier

ImageNjë grua e re martohet me një burrë të pasur dhe zhvendoset në rezidencën e tij, Manderlei. Por hija e gruas së parë, Rebeka, duket se është ende kudo. Misteri, xhelozia dhe atmosfera e zymtë e bëjnë këtë roman një lexim ideal për mbrëmjet e ftohta.

4. Guri i Hënës – Wilkie Collins

ImageNjë diamant i çmuar, i vjedhur nga një tempull indian, zhduket në rrethana misterioze dhe nis një hetim plot kthesa. I botuar në vitin 1868, romani konsiderohet një nga pararendësit e letërsisë moderne detektive.

5. Diçka e ligë po vjen – Ray Bradbury

ImageDy djem 13-vjeçarë përballen me një karnaval misterioz që mbërrin papritur në qytetin e tyre. Historia zhvillohet në vjeshtë dhe ndërthur magjinë, frikën, plakjen dhe fundin e pafajësisë së fëmijërisë.

6. Shtëpia e shpirtrave – Isabel Allende

ImageSaga e katër brezave të një familjeje kiliane ndërthur dashurinë, konfliktet familjare, luftën e klasave dhe elementet e realizmit magjik. Një roman i pasur dhe atmosferik për netët kur dëshiron të humbasësh në një histori të gjatë.

7. Shtëpia e mallkuar – Shirley Jackson

ImageNjë shtëpi me një të kaluar të frikshme bëhet qendra e një historie ku fantazmat, traumat dhe kujtimet ndërthuren. Atmosfera shqetësuese e bën një zgjedhje perfekte për periudhën para Halloween-it.

8. Vdekja e Ivan Iliçit – Leon Tolstoi

ImageNjë vepër e shkurtër, por jashtëzakonisht e fuqishme. Në përballje me vdekjen, Ivan Iliçi nis të rishqyrtojë jetën, zgjedhjet dhe vlerat e tij. Një libër që të fton të ndalesh dhe të mendosh.

9. Shembja e Shtëpisë Asher- Edgar Allan Poe

ImageNjë nga tregimet më të famshme të Posë flet për një vizitor që mbërrin në një rezidencë të rrënuar, ku gjithçka duket e gjallë dhe kërcënuese. Vdekja, çmenduria dhe misteri krijojnë një atmosferë ideale për një natë vjeshte.

10. Bindja – Jane Austen

ImageRomani i fundit i përfunduar nga Austen rrëfen historinë e Ana Eliotit, e cila ribashkohet me dashurinë e saj të dikurshme. Është një histori për dashurinë, pendesën dhe mundësitë e dyta, me një atmosferë të qetë e melankolike që i shkon shumë vjeshtës.