Veprat penale të korrupsionit në Shqipëri kanë shënuar rënie gjatë vitit 2025, por numri i çështjeve të dërguara në gjykatë dhe i të pandehurve të dënuar është rritur, sipas raportit të Prokurorit të Përgjithshëm mbi kriminalitetin.
Në total, pesha e korrupsionit në raport me të gjitha procedimet penale në vend ka zbritur në 0.48% në vitin 2025, nga 0.57% që ishte një vit më parë. Edhe koeficienti i kriminalitetit për këto vepra ka rënë në 5.46 për 100,000 banorë, nga 5.95 në vitin 2024.
Megjithatë, të dhënat tregojnë një zhvillim të dyfishtë. Nga njëra anë, numri i procedimeve të regjistruara për korrupsion ka rënë me 9.79%, ndërsa nga ana tjetër procedimet e dërguara në gjykatë janë rritur me 18.39%. Në të njëjtën kohë, numri i të pandehurve të dërguar në gjykatë është rritur me 27.88% dhe numri i të dënuarve është rritur me 18.35%, ndërsa numri i të pandehurve të regjistruar ka mbetur i njëjtë si në vitin 2024.
Profili i të pandehurve tregon se korrupsioni mbetet një fenomen i përqendruar kryesisht te meshkujt dhe personat aktivë në tregun e punës. Sipas raportit, 94.59% e të pandehurve janë meshkuj dhe 5.41% femra, ndërsa të gjithë janë mbi 18 vjeç. Për sa i përket arsimit, 21.62% kanë arsim deri në 9-vjeçar, 47.29% arsim të mesëm dhe 31.09% arsim të lartë. Nga pikëpamja e punësimit, 78.78% janë të punësuar në sektorin privat, 18.18% në sektorin shtetëror dhe 1.52% janë të papunë, ndërsa një tjetër 1.52% i përkasin strukturave të policisë së shtetit.
Në aspektin territorial, pjesa më e madhe e rasteve të korrupsionit është përqendruar në Tiranë, ku janë regjistruar 41% e procedimeve në nivel kombëtar. Durrësi ndjek me 29%, Fieri me 9%, ndërsa në Berat, Dibër dhe Korçë janë regjistruar vetëm nga 1% e rasteve secila.
Sa u përket llojeve të veprave, “korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” mbetet dominues, duke zënë 63.57% të rasteve në vitin 2025, megjithëse në rënie nga 76.22% në vitin 2024. Për këtë vepër janë regjistruar 82 procedime penale, ose 24.77% më pak se një vit më parë. Ndërkohë, “korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” përbën 20.16% të rasteve, në rritje nga 18.18% në vitin 2024, me 26 procedime të regjistruara, njësoj si një vit më parë.
Edhe politika penale tregon një prirje drejt masave më të buta. Për 23.53% të rasteve, prokurorët kanë kërkuar masa sigurimi me arrest, ndërsa gjykata i ka vendosur këto masa në 18.18% të rasteve. Në shumicën dërrmuese të rasteve, 86.07% e kërkesave të prokurorisë kanë qenë për pezullim dënimi dhe vendosje në provë, ndërsa gjykatat kanë aplikuar këtë masë në 90.69% të rasteve. Vetëm 9.31% e dënimeve kanë qenë me burg në marzhin mesatar të parashikuar nga ligji.
Raporti tregon se edhe pse numri i rasteve të korrupsionit po bie, sistemi po çon më shumë çështje në gjykatë dhe po jep më shumë vendime, ndërsa profili i të pandehurve dhe shpërndarja gjeografike mbeten pothuajse të pandryshuara./ekofin.al







