Ballina Politika Rama dekoron patronazhistët: Heronjtë e padukshëm të fitores së përhershme

Rama dekoron patronazhistët: Heronjtë e padukshëm të fitores së përhershme

72
0

Në festën e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, Edi Rama vendosi të bëjë atë që rrallë ndodh në politikë: të falënderojë publikisht patronazhistët.

Për vite me radhë opozita i ka paraqitur si simbol të kontrollit politik mbi qytetarët, ndërsa kritikët si një mekanizëm të ngritur deri në detaje për të njohur, monitoruar dhe mobilizuar elektoratin. Por për Ramën, patronazhistët mbeten një nga asetet më të çmuara të partisë.

Madje, kryeministri rezervoi një vlerësim të veçantë për Gramoz Ruçin, të cilin e shpalli pa hezitim “kryepatronazhistin” e socialistëve. Sipas Ramës, ish-kryetari i Kuvendit ka bërë për PS më shumë se shumë të tjerë, falë kontaktit të vazhdueshëm me qytetarët.

Nëse dikur partitë mburreshin me programet, debatet apo idetë, në këtë përvjetor socialistët zgjodhën të krenohen me organizimin e tyre në terren. Një lloj rikujtimi se në politikën shqiptare, teknologjia mund të ndryshojë, sloganet mund të ndërrohen, por rëndësi vazhdon të ketë kush e di derën ku duhet trokitur dhe telefonin që duhet marrë.

Dhe ndërsa Gramoz Ruçi parashikoi që PS do të sigurojë edhe mandatin e pestë, mesazhi që mbeti pezull në sallë ishte i thjeshtë: për sa kohë patronazhistët funksionojnë, makina elektorale nuk ka ndërmend të dalë në pension.