Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vijuar edhe të hënën aksionin para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
PDK-ja ka paralajmëruar se do t’i dërgojë sërish letër kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, me kërkesën që të thërrasë vazhdimin e seancës dhe të mundësojë konstituimin e Kuvendit.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se aksioni synon t’i bëjë thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të rikthehet në Kuvend dhe të kontribuojë në zhbllokimin e procesit.
“Kurti duhet ta kuptojë që në vend se ta sabotojë Kuvendin, të vijë aty të krijojë mundësi për ta konstituuar Kuvendin”, deklaroi Hoxha, duke kërkuar që Kurti të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
Sipas saj, asnjë subjekt politik nuk mund të jetë mbi shtetin dhe Kushtetutën e Kosovës. Hoxha akuzoi Kurtin dhe ministrat e tij se po qëndrojnë në pozitat qeverisëse edhe pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, ndërsa kërkoi kthimin e institucioneve në “rendin kushtetues dhe normalitet”.
PDK-ja dhe Aleanca kanë vazhduar me kërkesën për thirrjen e seancës konstituive, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e procesit. Të dielën, deputetë të këtyre partive tentuan të hyjnë në sallën e Kuvendit, por gjetën derën të mbyllur.
Ngërçi politik lidhet me dështimin për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. Deputetët e legjislaturës së re kanë dhënë betimin, por në pikën e rendit të ditës për propozimin e kryeparlamentarit, Albin Kurti ka refuzuar të paraqesë një kandidat, duke e lidhur konstituimin e Kuvendit me arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e presidentit.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, ka bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje ndërmjet partive politike. Ai ka paralajmëruar se vazhdimi i seancës pa një marrëveshje mund ta tensionojë edhe më tej situatën dhe të rrisë rrezikun për përplasje fizike brenda Kuvendit.
Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje dhe aleatët e saj nga komunitetet kanë numrat e nevojshëm për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Për zgjedhjen e presidentit, megjithatë, kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në dy raundet e para. Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda afatit kushtetues 60-ditor, Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.
Kosova vijon të përballet me një krizë të zgjatur institucionale, pas një serie procesesh zgjedhore dhe përpjekjesh të pasuksesshme për formimin dhe funksionalizimin e institucioneve. Zgjedhjet e 7 qershorit u zhvilluan pas krizave të mëparshme për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, ndërsa tash ngërçi është zhvendosur te konstituimi i legjislaturës së re dhe zgjedhja e presidentit.







